Lajme Shqip Saturday, 10 September 2011 11:01

Vlorë – Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili zhvilloi sot një vizitë ngushëllimi në familjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, deklaroi se, “dora e krimit sot goditi në zemër shtetin e së drejtës, goditi në thelbin e tij, ekzistencën e shtetit”.

“I shpreha pak më parë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, bashkëshortes, nënës, babait”, u shpreh Halimi, ndërsa u ndal në ecurinë e hetimeve për zbardhjen e ngjarjes.

Ai bëri të ditur se, grupi i hetimit po punon dhe po bën një punë të shkëlqyer, me një bashkëpunim të mirë me ekspertët më të mirë të së drejtës, të Policisë Kriminale, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët, po bëjnë një hetim të mirë.

Ai garantoi se, “hetimi do të jetë i shpejtë, efikas dhe organizatorët, ideatorët dhe ekzekutorët do të vihen në prangat e ligjit”.

“I garantova familjarët se asnjë proces nuk do të jetë i pafund, por do të ketë garancinë dhe mbështetjen e plotë të Qeverisë për çdo mjet, ekspert të huaj, mjet efikas, në mënyrë që  ideatorët, organizatorët dhe ekzekutorët të marrin sa më shpejt përgjigjen e merituar”, vijoi deklaratën e tij Halimi.

Për vrasjen e gjyqtarit Konomi, reagoi sot edhe Prefekti i Qarkut të Vlorës, Eduart Veçani, i cili e dënoi me ashpërsi këtë ngjarje kriminale.

“Sot në qytetin e Vlorës ka ndodhur një ngjarje e rëndë, ku ka humbur jetën gjyqtari Skerdilajd  Konomi në një atentat tipik mafioz”, tha kreu i Prefekturës së Vlorës, i cili për shumë vite ka ushtruar profesionit e avokatit.

Ndërsa  vlerësoi gjyqtarin Konomi, si një ndër gjyqtarët e dalluar profesionalisht, me sensin e së drejtës, Prefekti Veçani, i bëri thirrje organeve të drejtësisë dhe Policisë, e cila sipas tij po punon mjaft mirë, që të angazhohen  maksimalisht për të gjetur autorët e vrasjes.