Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 10:34

Vlorë – Policia e Vlorës nisi procedimin penal për kryetarin e bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe 7 personave të tjerë, drejtues të njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të Partisë Socialiste dhe anëtarë e simpatizantë të kësaj force politike, të cilët dyshohet të jenë organizatorë të mitingut të paligjshëm të zhvilluar pasditen e të premtes në Urën e Mifolit, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Fier.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se “në këtë tubim të paligjshëm, të zhvilluar pa lejen e autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe me pjesëmarrjen e rreth 300 personave, u pengua qarkullimi i automjeteve për rreth 1 orë dhe u dogjën goma të vjetra”.

8 personat e mësipërm, mes të cilëve edhe Krenar Musta, Ardi Veliu, Dallëndyshe Gani, Reshat Mika, Jetmir Sala, Xhevdet Suli, Shuaip Roshi, akuzohen për veprat penale të pengimit të automjeteve të transportit, organizim dhe pjesëmarrje në tubimet e paligjshme, prishje e qetësisë publike, etj. Policia sqaroi se do të vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë organizatorë dhe pjesëmarrës në këtë ngjarje.

Ky veprim i policisë pason atë të një dite më parë, kur për të njëjtat akuza nisi procedimi penal për 6 persona, pjesëmarrës në protestën e zhvilluar mesditën e të enjtes në Urën e Mifolit.