Lajme Shqip Friday, 09 September 2011 18:24

Vlorë – Policia e Vlorës deklaroi sot se “do të shpërblejë me 100 mijë euro ata që japin  informacion që ndihmon në zbardhjen e ngjarjes së sotme, ku si pasojë e shpërthimit të një autoveture, mbeti i vrarë gjyqtari Skerdilajd Konomi.

Në një komunikatë për shtyp, Drejtoria e Policisë e Qarkut të Vlorës, i bën apel  qytetarëve  për të dhënë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e autorit ose autorëve të kësaj ngjarjeje.

“Për personin që do të japë informacionin,  i cili çon në zbardhjen e ngjarjes, Drejtoria e Policisë e Qarkut Vlorë vë në dispozicion shpërblimin  prej 100 mijë euro”, thuhet në deklaratën e uniformave blu të qytetit bregdetar.

Gjithashtu, për dhënien e informacionit, Policia e Vlorës ka vënë në dispozicion numrat e telefonit: 069 41 02 355  dhe  069 41 05 397 ndërkohë që garanton ruajtjen e plotë të anonimatit.

Gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Skerdilajd Konomi, mbeti i vrarë sot rreth orës 09.20, pas një shpërthimi të autoveturës së tij, një Benz me targa VL 6383 B, në çastin që po lëvizte në bulevardin Vlorë-Skelë.

Paraprakisht mendohet se ngjarja është shkaktuar përmes shpërthimit në distancë të një sasie eksplozivi të vendosur në autoveturën e Konomit. Policia po heton intensivisht për këtë ngjarje, ndërkohë që ka shoqëruar një numër personash , të cilët  po merren në pyetje lidhur me ngjarjen.