Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 07:51

Tiranë – Policia e Qarkut Tiranë bëri të ditur dje në mbrëmje se, është ngritur një Grup i Posaçëm hetimor të cilët po punojnë intensivisht edhe me Drejtorinë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tentativës së pardjeshme për vjedhje me armë të filialit të NBG Bank pranë Sheshit “Shtraus”, në Tiranë.

Përmes një deklarate për shtyp, Policia e Tiranës informoi mbi ecurinë e hetimit të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, ku mbeti i plagosur, roja i bankës, shtetasi Skënder Elmazi si dhe u plagos duke gjetur vdekjen më pas në spital, punonjësja e bankës, shtetasja Leonora Kaloçi.

Nga zhvillimi i deritanishëm i hetimeve, rezulton se nga ekzaminimi kriminalistik – balistik i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, arma e përdorur në ngjarjen e pardjeshme, është përdorur edhe në vjedhjen me armë të argjendarisë me pasojë vdekjen e shtetasit Rapo Sinani, ngjarje e ndodhur në Tiranë më datë 21 Tetor 2011.

Aktualisht, të gjitha strukturat e Policisë së kryeqytetit janë të angazhuara dhe po punojnë maksimalisht për identifikimin, dokumentimin ligjor dhe kapjen e autorëve të ngjarjes kriminale të ditës së djeshme.

Gjithashtu, pasditen e sotme nga strukturat e Operacioneve Speciale në  Drejtorinë e Policisë së Qarku Tiranë u arrit kapja e një shtetasi shumë të kërkuar  dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Në afërsi të ish Profarmës u ndalua shtetasi i kërkuar Eduard Enver Dushku, 37 vjeç, banues në Sauk Tiranë, autori i një vrasje në vitin 2011 në Tiranë.