|
|
e Enjëte, 14 Qershor 2012 12:15 Prishtinë(PLOTESUAR 15:00)- Qeveria e Republikës së Kosovës përshëndeti sot, dorëzimin e shumëpritur të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, që u morr sot nga Komisioni Evropian në koordinim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. “Ky është edhe një konfirmim i qartë, që Kosova është duke shkuar me hapa të sigurt drejt integrimit evropian dhe puna në këtë drejtim do të shpërblehet me përfitime konkrete për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thekson qeveria në një komunikatë.
Qeveria zotohet se “në mënyrë që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë, kërkesat që kanë të bëjnë me sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufijve, rendin publik dhe sigurinë dhe të drejtat fondamentale, si dhe kushteve të mbetura rreth ripranimit dhe riatdhesimit, do t’i trajtojë si prioritet”. (LajmeShqip.com)
***************************************
Prishtinë (PLOTESUAR 14:00)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, përshëndet vendimin e Bashkimit Evropian, për dorëzimin e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, dokument ky që mundëson plotësimin e kushteve për udhëtim të lirshëm në BE të qytetarëve të saj.
Presidentja e Republikës së Kosovës, sipas zyrës së saj, e vlerëson këtë si hap të rëndësishëm të Komisionit Evropian dhe të vendeve anëtare, që e kanë mbështetur këtë proces. Presidentja Jahjaga shpreh gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë në përmbushjen e kritereve dhe obligimeve të përcaktuara në këtë udhërrëfyes, duke konsoliduar arritjet në të gjitha fushat në kuadër të axhendës evropiane të Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga, që udhëheq Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, vlerëson se vendimi i BE-së përçon një mesazh të qartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se edhe ata, si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit të Ballkanit, gëzojnë perspektivën evropiane. Procesi i liberalizimit të vizave do të ndihmojë institucionet e Kosovës të thellojnë reformat në forcimin e institucioneve demokratike, në sundimin e ligjit, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfundohet në komunikatën e Presidencës kosovare. (LajmeShqip.com)
******************************************
Bruksel – Delegacioni i Kosovës e mori sot në Bruksel Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Dokumenti iu dorëzua ministres për integrime Vlora Çitaku nga komisionerja e BE-së, Cecilia Malmstrom.
Zyrtarët nga qeveria e Kosovës janë shprehur optimist se do të plotësojë pa asnjë problem të gjitha kriteret e kërkuara.
Delegacioni i Kosovës i prirë nga ministrja për integrime Vlora Çitaku ka marrë në Bruksel udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Komisionerja e BE- së Cecilia Malmstrom e cila ia dorëzoi ministres Çitaku dokumentin e shumëpritur, foli edhe për përmbajtjen e tij.
Udhërrëfyesi për Kosovën përmban 101 kritere, dyfish më shumë nga ato të vendeve të rajonit. Zyrtarët e BE-së kanë sqaruar se kjo është bërë në mënyrë që të mos përsëriten gabimet që janë bërë me shtetet e rajonit. Përfaqësuesit e delegacionit kosovarë janë shprehur optimist se Qeveria e Kosovës është e përgatitur dhe se do ti plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara.
Ministrja për integrim Vlora Çitaku ka thënë se marrja e udhërrëfyesit është fryt i punës së përgjithshme të institucioneve të Kosovës, por nuk ka përmendur ndonjë afat se për sa kohë do të mund të arrihet deri të liberalizimi i vizave.
Ndryshe vendeve të rajonit u është dashur të presin nga dy deri në tre vite pas marrjes së udhërrëfyesit, që Bashkimi Evropian të bënte liberalizimin e vizave. Megjithatë, drejtuesit e institucioneve të Kosovës, kanë optimistë dhe shpresojnë se në rastin e Kosovës, liberalizimi i procesit të vizave do të ndodh më shpejt. (LajmeShqip.com)