Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 16:40

Tiranë – Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe në Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë në Tiranë, në nderim të kujtimit të Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, dy të rinj të pushkatuar në vitin 1984, eshtrat e të cilëve u gjetën pak ditë më parë në fshatin Kuç të komunës Gur i Zi, në Shkodër.

“Përulem me nderim të madh para martirëve të demokracisë, Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, të cilës u ekzekutuan nga regjimi barbar për mendimin e lirë, për fjalën e lirë, për besimin tek Zoti, besimin tek Shqipëria. Dua të shpreh nderimin më të thellë për familjet e tyre dhe për të gjithë ata që u sakrifikuan me jetë, me mjerim, me vite burg, me sakrifica, me internime për vlerat më të arrira hyjnore dhe njerëzore të lirisë e të shoqërisë”, deklaroi shefi i qeverisë shqiptare.

Kryeministri tha se nderimi më i madh që mund t’u bëhet martirëve të demokracisë është konsolidimi i vlerave të lirisë, i votës së lirë dhe  fjalës së lirë.

“Ju dhe të rinjtë shqiptarë duhet ta dinë se kur ata burra kanë votuar janë paraqitur para dy kutive: njëra ishte kutia e frontit, e barbarisë, ndërsa tjera quhej kutia e armikut. Kjo më është kujtuar disa herë këto kohë, kur ka nga ata që votën e hedhur në një kuti tjetër duan ta konsiderojnë si votë të ekzekutuar, si votë të paqenë. Ata burra kanë sakrifikuar që ne të ndahemi nga klishetë e një kohe që kurrë nuk kthehet më, që të votojmë të lirë, të votojmë me dinjitet, që të nderojmë njeri–tjetrin, që të respektojmë votën ndryshe-shtoi më tej ai.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka dënuar rastet në të cilat, siç tha ajo, nga kreu i shtetit janë dekoruar persekutorët dhe jo të persekutuarit e regjimit komunist.

Por për këtë situatë presidenti Topi, ndonëse jep dekoratat, nuk e njeh veten si përgjegjës për moralin e destinacionit të tyre.