Lajme Shqip Saturday, 20 April 2013 11:35

TIRANË- Vihet guri i parë i themelit për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës, në sheshin e Namazgjasë. Në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë, kryeministri Berisha, kryebashkiaku Lulzim Basha dhe kryetari i Komunitetetit Mysliman Selim Muca nënshkruan një marrëveshje që i jep udhë ndërtimit të xhamisë, kopjet e të cilës do mbahen nga të tre personalitetetet.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, e ka konsideruar këtë ditë si një ditë historike jo vetëm për besimtarët myslimanë, por për mbarë shqiptarët kudo që janë. “Fillimi i punimeve për ndërtimin e Xhamisë së madhe të Tiranës është një ngjarje historike”, – theksoi kreu i KMSH-së, Selim Muça. 

“Namazgjaja ku jemi sot është shprehje e shpirti të madh e bujar e atyre besimtarëve myslimanë që dhanë për fenë e popullin. E lus zotin e lartësuar të na e lehtësojë punën tonë në të gjithë proceset e punës për nderimin e xhamisë së madhe”, tha Muca në ceremoni.

BERISHA: U VUNË NË VEND TË DREJTAT E SHKELMUARA
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili tha se kjo është një ditë e madhe për gjithë besimtarët myslimanë, për të cilët sic tha ai, u vendos në vend një e drejtë e mohuar për 20 vjet. Sot tha kryeministri, ndahemi nga qëndrimet paragjykuese të ateizmit.

“Për Tiranën, Shqipërinë dhe shqiptarët kjo ditë është dita e lindjes së profetit Muhamed, burrit që së bashku me Jezu Krishtin dhe Budën i dhanë tokës kuptimin e madh të zotit, kjo është dhe do mbetet një ditë e madhe e rëndësishme, ditë në të cilën ne inaugurojmë ndërtimin e xhamisë më të madhe, të kryeqytetit dhe vendit në tërë historinë e tij. Kjo ngjarje është e madhe edhe në një aspekt tjetër. Sot ne ndahemi nga qëndrimet paragjykuese, të inspiruara nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie kaq shumë të domosdoshme për besimtaret myslimanë në Tiranë, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur të drejta të shkelmuara në vendin që meritojnë. 22 vjet më parë me themelimin e partisë së parë opozitare ne shpallëm si parim themelor që aty ku janë, aty ku jetojnë 4 të krishterë të ndërtohet një kishë, aty ku janë 4 myslimanë një xhami, aty ku janë 4 bektashinj një teqe. Ne shpallëm respektin e palëkundur ndaj feve”, tha kryeministri. 

Duke iu drejtuar kreut të Komunitetit Mysliman, Selim Muçës, Berisha shtoi se, “Në këto vite nuk keni pasur ndjenjën e madhe që keni merituar, unë kam vlerësuar durimin dialogun dhe vendosmërinë që ju keni pasur për të çuar përpara çështjen e besimtarëve që ju përfaqësoni. Urtësia me të cilën ju keni ndjekur këtë çështje bëri të mundur që sot të mblidhemi së bashku në këtë ngjarje të madhe shpirtërore e morale për kombin tonë. Qeveria duke shprehur nderimin më të madh ndaj jush ju bën thirrje kryetarëve të bashkive dhe komunave që me përparësi, t’ju bëjnë të mundur besimtarëve të ngrenë tempujt e tyre aty ku jetojnë. Sot jemi të çliruar nga trashëgimia ateiste”, tha ai.

BASHA: MBAJTËM PREMTIMIN
Ndërsa kryebashkiaku Lulzim Basha fillimin e ndërtimit të kësaj xhamie e konsideroi një premtim të mbajtur të Bashkisë së Tiranës për një objekt që tashmë i kishte ardhur koha të kompletonte mozaikun e objekteve të kultit në kryeqytet.

“Besimi dhe dashura na sollën deri këtu, për mua besimi që më dhanë qytetarët ishte celësi për bashkëpunim me këtë komunitet dhe gjithë faktorët e tjerë që bënë të mundur fillimin e punimeve. Tirana është model i bashkëjetesës fetare. Koha kishte ardhur që edhe xhamia e madhe të ishte realitet në Shqipëri, Ndjej keqardhje për kohën e gjatë që kemi humbur. Por sot kompletojmë mozaikun e objekteve të kultit dhe shënojmë një premtim të mbajtur para këtij komuniteti dhe zotit të madh”, tha ai.

PROJEKTI
Projekti i xhamisë përshtatet me truallin ku po nis të ndërtohet, si dhe në dizajnin e saj reflektojnë trashëgiminë kulturore shqiptare. Projekti i xhamisë së madhe është bërë nga studio “Hassa” e arkitekt Muharrem Senalp, i cili është mjaft i njohur në fushën e ndërtimit të xhamive. Xhamia duket sikur është e vendosur mbi një qilim, pasi në katin e parë, me një sipërfaqe prej 3500 metrash katrorë, është projektuar qendra kulturore. Ndërsa sipërfaqja e xhamisë është 2500 metra katrorë. Xhamia e Namazgjasë, sipas projektit të studios së projektimit “Hassa”, është parashikuar që të ketë katër minare. Lartësia e tyre do të jetë 50 metra, ndërsa kupola qendrore do të jetë 30 metra e lartë. Qendra kulturore, në përbërjen e saj do të ketë sallë konferencash, bibliotekë, muze, por edhe klasa për mësimdhënie. Nga ana vizuale kjo xhami, ndryshe nga projekti i studios BIG që pasqyronte elemente të forta të modernes, është më klasike dhe pasqyron vlera historike të objekteve të tjera të kultit të fesë islame që janë në vendin tonë. Projekti i “BIG-Studio”, ishte projekti fitues i konkursit të organizuar nga Bashkia e Tiranës në maj të vitit 2011, e cila ishte parashikuar të ndërtohej në lulishten mbrapa TOB-it, por për shkak të problemeve me pronësinë u vendos që Xhamia e madhe të ndërtohej te Namazgjaja, ku Komuniteti Mysliman ka dhe pronësinë e truallit. (LajmeShqip.com)