Lajme Shqip Wednesday, 08 August 2012 16:08

Prishtinë – Përmes një komunikate për shtyp, të cituar nga “RTK”, Vetëvendosje i është referuar në veçanti Universitetit të veriut të Mitrovicës, i cili sipas saj funksionon jashtë sistemit arsimor të Kosovës dhe për rrjedhojë është i jashtëligjshëm.

“Me financimin e këtij universiteti nga Komisioni Evropian, ose po financohen institucionet e jashtëligjshme, ose veriu i Kosovës po konsiderohet si pjesë e Serbisë”, ka deklaruar VV.

Lëvizja, njëkohësisht një nga forcat kryesore të opozitës kosovare, vlerëson se universiteti në fjalë funksionon tërësisht në bazë të sistemit arsimor të Serbisë, në territorin e Republikës së Kosovës.

Vetëvendosje thekson më tej se, universiteti ilegal i veriut është pjesë e zinxhirit të institucioneve ilegale serbe të sigurisë, shëndetësisë, transportit, energjitikës, postës, etj.

“Është një zinxhir institucionesh që Serbia e shfrytëzon çdo ditë për të minuar pavarësinë e Kosovës”, thuhet më tej në komunikatën e Vetëvendosjes. (LajmeShqip.com)