Lajme Shqip Sunday, 23 September 2012 16:28

Prishtinë – Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje organizuan një aksion në ndërtesën Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.“Objekti përballë të cilit gjendemi mban emrin: ‘Ministria e Zhvillimit Ekonomik’. Puna që ka bërë dhe po bën kjo ministri është aq e dëmshme e shkatërruese që veç zhvillim nuk mund t’i thuhet. ‘Zhvillim’ quajnë zhvillimin e privatizimit. Numërojnë si ekonomi të vendit fitimet milionëshe të korporatave të huaja…. Korrupsioni, zhvatja, grabitja, uzurpimi e trajtimi i egër për gjithçka publike është logjika qeverisëse e sistemit neoliberal. Hashim Thaçi e Besim Beqaj janë zbatuesit e tij”, ka thënë aktivisti i VV-së, Nol Nushi .

Sipas tij, Ministria me të cilën udhëheq Besim Beqaj, “vazhdon rrugën e verbër të privatizimit”.“Korrupsioni i ushtruar nga po kjo qeveri, vjen e bëhet shkaku i privatizimit që do ta bëjë po kjo qeveri. Emërimi i njerëzve të korruptuar nëpër borde udhëheqëse që punojnë për interesa private dhe privatizimi janë e njëjta gjë. E kundërta e korrupsionit nuk është privatizimi, por trajtimi me kujdes e përgjegjësi ndaj pronës publike”, thekson Nushi.

Kosova është renditur në vendin e 112 me shkallën e korrupsionit, ndërsa aktivistët e VV-së deklarojnë se Beqaj nuk mërzitet për jetën e vështirë, për rritjen e çmimeve e papunësinë që janë efekte direkte të politikave të tij.

“Halli i tij është imazhi, fshehja e fakteve para privatizuesve. Pikërisht në këtë drejtim është orientuar edhe aksioni ynë sot, pra për të vendosur identitet midis fjalëve dhe realitetit. Puna që po bën kjo ministri është shkatërruese për Kosovën dhe qytetarët e saj. Andaj në tabelën hyrëse të saj shkruam fjalën që i përgjigjet veprimtarisë së saj: ‘Ministria e Shkatërrimit Ekonomik’”, tha ndër të tjeras Nol Nush. (LajmeShqip.com)