|
|
Sunday, 22 January 2012 09:00
Prishtinë-Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë deklaruar të shtunën se sot do të protestojnë në dy pikat kufitare, në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë, meqenëse sipas tyre, mocioni i iniciuar nga PDK-ja nuk është i qëndrueshëm, dhe si dokument që i referohet marrëveshjes së mëhershme në mes të Kosovës dhe Serbisë për lëvizje të lirë, e cila nuk është ratifikuar në Kuvend të Kosovës, nuk mund të cilësohet si dokument në përputhje me Kushtetutën.
Derisa e ka arsyetuar mbajtjen e protestës, me faktin që sipas tij, kryeministri Hashim Thaçi ia ka mbyllur derën Shqipërisë dhe ia ka hapur Serbisë, si me 14 janar, gjithashtu edhe me mocionin e së premtes, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se kjo lëvizje kërkon nga policët e vendit që mos t’i pengojnë aktivistët e Vetëvendosjes, siç ka thënë ai, në pengimin e Serbisë.
Ai madje, ka thënë se nuk është e rastësishme që kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, është “aktivizuar” në maksimum për t’ia mundësuar Serbisë që t’i “pushtoi” tregjet e Kosovës.
Këtë ai e ka ndërlidhur me dy takime të fshehta që Thaçi ka pasur me presidentin serb, Boris Tadiç, për të cilin ka parashtruar dhjetë pyetje, e të cilat presin përgjigje nga kryeministri kosovar:
1. Ku dhe kur është marrë vendimi që Thaçi të takohet me Tadiçin?
2. Ku dhe kur saktësisht është takuar me kryetarin e Serbisë, Tadiq?
3. Kush tjetër ka marrë pjesë në këto takime, për çfarë kanë biseduar, çfarë i ka thënë Thaçi Tadiçit dhe çfarë Tadiç Thaçit?
4. Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e kujt janë zhvilluar secili prej këtyre dy takimeve?
5. Cilat ishin konkluzionet e takimeve?
6. Çka ka përfituar Kosova nga këto takime?
7. Çka ka përfituar Thaçi nga këto takime?
8. A ekziston transkripti dhe procesverbali i takimeve dhe nëse po, kush e ka?
9. Kë e ka informuar dhe kujt i ka raportuar Thaçi për këto takime?
10. A e kanë ditur kabineti qeveritar, presidenti dhe partia e tij, PDK, për këto takime?


