Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Strategjia e Qeverisë së Kosovës për veriun ka dështuar.
Xhelal Sveçla, nga Vetëvendosje, tha se raporti i Zyrës së koordinatorit për strategjinë e veriut lidhur me institucionet paralele në veri, është një raport i dështuar, i cili veç sa i faktorizon më tepër strukturat paralele në veri.
Ai tha se ky raport nuk është strategji, por një pasqyrim i gjendjes në veri.
Ndërsa Zgjim Hyseni, që prezentoi përmbajtjen e raportit, tha se është absurde që Serbia angazhon me qindra njerëz për të mbrojtur diçka që nuk është e saj, ndërkohë që shtoi se Qeveria e Kosovës, me anë të dy-tre personave, mundohet të mbrojë diçka që është e saj.
Ndërkohë, Xhevat Sveçla paraqiti hapat që duhet të ndërmerren lidhur me veriun.
Vendosja e policisë speciale në veri, rivendosja e kontrollit kufitar, inicimi i procedurave penale ndaj personave në strukturat paralele, ishin disa hapat që u rekomanduan nga Vetëvendosje.
Vetëvendosje thotë se publikimi i raportit mbi veriun po bëhet në kohën kur janë intensifikuar deklaratat e zyrtarëve serbë për ndarjen e Kosovës dhe, kur, siç tha ai, zyrtarët e Kosovës thonë se nuk kanë kontroll në veri.