Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 19:37

Prishtinë-Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Alma Lama e quajtur retorikë boshe deklarimin e vazhdueshëm të qeverisë së Kosova do të marrë se shpejti udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë më të izoluarit në rajon dhe mesazhi i vetëm që vjen nga Bashkimi Evropian për Qeverinë e Kosovës mbetet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas saj, këto dy dukuri janë shkaktarët kryesorë të izolimit të Kosovës.

 “Por situata është edhe më e rëndë. Sot Kosova pa dyshim mund të quhet një shtet i kapur nga elementët kriminalë, me një sistem drejtësie të kontrolluar politikisht e të korruptuar, dhe me institucione që do të duhej të ishin të pavarura, por që kontrollohen nga qeveria dhe struktura parainstitucionale”-tha Lama.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër themelimit të Këshillit për Integrime Evropiane. Deputetja Lama tha se duhet të forcohen institucionet që burojnë nga Kushtetuta, e jo të krijohet institucione pa nevojë.

Lama tha se Vetëvendosje do të vazhdojë angazhimin e saj për një shtet transparent, ku ekonomia kthehet në duart e qytetarëve, e jo të oligarkëve të pushtetit aktual. Andaj, ajo tha se është urgjente nevoja e miratimit dhe implementimit të ligjit antimafia. (LajmeShqip.com)