Lajme Shqip Wednesday, 09 September 2015 09:14

Përplasja e nënkryetarit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Driton Çaushi, me deputetin e kësaj partie, Ilir Deda, vetëm pse ky i fundit ka deklaruar se heqja me dhunë e rrethojave të ekzekutivit nuk është pasqyrë e mirë për Kosovën, ka shtuar zërat për mungesë të demokracisë së brendshme në këtë subjekt politik.

Analistët politikë thonë se reagimet e tilla të nënkryetarit të “Vetëvendosjes” ndaj deputetit Deda vetëm se e rrënojnë imazhin e partisë dhe nuk i vërtetojnë deklaratat e zyrtarëve të kësaj partie se kanë më së shumti demokraci të brendshme.

Analisti, Halil Matoshi, thotë se te Lëvizja “Vetëvendosje” ekzistojnë dy rryma të përkufizuara qartë.

“Rryma revolucionare majtiste e Albin Kurtit dhe rryma tjetër, ajo e grupacionit FER. Pikërisht këtu nis konflikti i brendshëm, pasi që synimet e dy palëve bien ndesh me njëra-tjetrën”, shprehet Matoshi, duke shtuar se grupacioni i parë mësyn ta pajtojë të majtën ekstreme (revolucionare) me nacionalizmin etik (kundërvënie të drejtave shtesë për serbët kosovarë), kurse, sic thotë ai, të dytët synojnë dialog politik me forcat tjera në vend dhe mbrojtje të Republikës.

“Vetëvendosje i ka punët si mos më keq brenda vetës, duke u gjendur para kolapsit të ideologjisë së saj albanocentriste dhe përmes protestave të dhunshme po synon mobilizimin e anëtarësisë”, ka thënë Matoshi.

Edhe analisti, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se ngjarjet e muajve të fundit në Lëvizjen Vetëvendosje nuk i kanë vërtetuar deklarata e kësaj partie se kanë më së shumti demokraci përbrenda.

Madje, rezistenca ndaj mendimit ndryshe brenda kësaj partie, siç thotë ai, do ta rrezikojë tej mase këtë parti. /Zëri