Lajme Shqip Wednesday, 11 January 2012 12:56

Rreth 90 autobusë me aktivistë dhe qytetarë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje më 14 janar do të niset nga komunat e Kosovës, por edhe nga Tirana dhe do të kenë vetëm një destinacion; kufirin me Serbinë, përkatësisht pikëkalimet në Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj lëvizje, Dardan Molliqaj tha se janë duke u bërë përgatitje për këtë aktivitet nëpër të gjitha komunat e Kosovës e po ashtu përgatitjet po bëhen edhe me diasporën dhe me Tiranën, ku sot kreu i lëvizjes, Albin Kurti me një delegacion do të ketë takime me qytetarë atje.

Duke treguar itinerarin e këtij aktiviteti, Molliqaj tha se nisja e autobusëve nga të gjitha komunat do të bëhet në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa bllokimi i dy pikëkalimeve do të bëhet në mesditë.

Paralajmërimin e organeve të rendit se nuk do të lejojnë bllokimin, Molliqaj nuk e merr seriozisht, pasi që, sipas tij, këto institucione asnjëherë nuk kanë qenë serioze.

Sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, ky aktivitet duhet të rezultojë me respektimin e vendimit të cilin e ka marrë Kuvendi i Kosovës javë më parë për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me shtetin e Serbisë.