Lajme Shqip Saturday, 05 April 2014 18:06

Në Kosovë, drejtues të organizatave të dala nga lufta e kanë kundërshtuar krijimin e një gjykatë të veçantë që të trajtonte pretendimet për krime lufte të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata thonë  se kjo shkel integritetin e shtetit dhe e mohon luftën çlirimtare. 

“Krijimi i një gjykate për krimet e supozuara të luftës nga UÇK-ja shkel sovranitetin e Kosovës dhe si i tillë do të kundërshtohet nga veteranët e luftës”, tha   kryetari i Shoqatës së Veteraneve të Luftës, Muharrem Xhemajli, gjatë një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. 

Gjatë takimit Thaçi theksoi se Kosova ka sistemin e saj të drejtësisë, në gjendje për t’u përballur me çdo sfidë.  Diplomatët perëndimorë po debatojnë me autoritetet në Prishtinë për ngritjen e kësaj gjykate të veçantë për krime lufte që do të trajtonte pretendimet e ngritura nga ish i dërguari i Këshillit të Evropës Dick Marty.  Ndërkohë, mediat në Kosovë  shkruajnë se kohëzgjatja e gjykatës së posaçme për krimet e luftës në Kosovë do të jetë jo më pak se 5 vjet.