|
|
e Premte, 20 Korrik 2012 13:07 Prishtinë – Qeveria e Kosovës nuk kundërshton thirrjen e Bashkimit Evropian që çështja e veriut të jetë pjesë e dialogut. Sa herë që është përmendur dialogu me Serbinë për çështjen e veriut, institucionet e Kosovës kanë refuzuar kategorikisht mundësinë që për një çështje të tillë të brendshme të bisedohet me shtetin fqinj Serbinë. 
Ky refuzim nuk ka ndodhur edhe të enjten. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, është pyetur pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë për thirrjen që zyrtarët e BE-së kanë bërë të mërkurën pas takimeve me presidenten Jahjaga, që çështja e veriut të adresohet në dialog. Kuçi nuk ka përsëritur kundërshtimin e mëhershëm, po ka thënë se zgjidhja për atje do të jetë sipas Kushtetutës.
“Kosova e ka dhënë qëndrimin e vet se çdo zgjidhje do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, Pakos së Ahtisaarit dhe asaj që ne e quajmë rend dhe ligj në vendin tonë”, ka thënë Kuçi .
Zëvendëskryeministri nuk ka mohuar as se ka kërkesa nga perëndimorët që të hyhet në dialog për këtë pjesë të territorit.(LajmeShqip.com)