Lajme Shqip e Shtunë, 29 Tetor 2011 12:52

Mitrovicë – Ka nisur lulëzimi i kontrabandës me mallra në veri të Mitrovicës, në katër ditët e fundit, kanë bërë të ditur burime të portalit LajmeShqip.com nga veriu i Kosovës. Mallrat nga Serbia në Kosovë po hyjnë përmes katër rrugëve të asfaltuara alternative. Po kontrabandohet naftë dhe gjëra ushqimore, nga serbë e shqiptarë bashkërisht. Veriu është shndërruar sërish në parajsë të krimit të organizuar.

Njësia Antikontrabandë e Policisë së Kosovës, e cila ka funksionuar deri në ngjarjet e fundit në veri, është tërhequr, për shkak të detyrave të reja që ka marrë, ndërsa kontrabvanduesit janë duke hedhur valle.

Pompa e benzinës, në aksin rrugor Mitrovicë-Suhodoll, që gjendet pak metra më larg nga Tre Rrokaqiejt, ka rifilluar me punë. Shqiptarë me makina të vogla janë duke bërë kontrabandën e naftës, duke i furnizuar, sidomos, kompanite e transportit të udhëtarëve.

Brenda ditës, një makinë nga  kjo pikë e shitjes së naftës, kontrabandon në jug 500 deri në 600 litra naftë.

Kontrabandues, edhe shqiptarë në mesin e tyre, e kanë filluar kontrabandën e gjërave ushqimore, nga veriu në jug të Mitrovicës. Të githa këto janë duke u bërë përmes Lagjes së Boshnjakëve dhe Suhodollit.

Kontrabandë janë duke bërë edhe biçiklistët, të cilët janë duke e shfrytëzuar parkun e qytetit të Mitrovicës, urën për kalimin e këmbësorëve, te Tre Rrokaqiejtë, ku janë të vendosura edhe dyqanët dhe depot e serbëve.

Shumica e naftës, që është duke u kontrabanduar në jug, nga shqiptarë, është pronë e kapos së krimit të veriut të Kosovës, Zvonko Veselinoviqit.

Në anen tjetër, kontrabanda nga Serbia për në veri të Kosovës, është duke u zhvilluar pa problem, përmes rrugëve alternative. Janë katër rrugë rurale, që tani janë të asfaltuara e që janë duke u shfrytëzuar për kontrabandimin e mallrave nga Serbia në Kosovë. (LajmeShqip.com)