Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 15:40

Prishtinë – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë nëpërmjet një kumtese ka ngritur shqetësimin për gjendjen e banorëve të veriut të Kosovës. Ky institucion ka vlerësuar se situata e këtyre banorëve është vështirësuar edhe më, si pasojë e bllokadës së rrugëve nga grupe qytetarësh serbë. 
KMDLNJ konsideron se një bllokadë e tillë nuk duhet të tolerohet, sepse është duke cenuar rendin dhe qetësinë e qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës e cila nuk është e kontrolluar nga institucionet e saj. 
“Sipas informatave që ka KMDLNJ këto pengesa në rrugë janë duke e vështirësuar komunikimin dhe qarkullimin e qytetarëve. Gjithashtu, organizatorët e bllokadës janë duke u përkrahur nga strukturat paralele dhe zyrtarët policorë të suspenduar”, thuhet në kumtesë. 
Edhe kësaj herë KMDLNJ iu ka bërë thirrje institucioneve që të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese për të siguruar një ambient të sigurt dhe qarkullim të lirë të qytetarëve të kësaj pjese. 
Më tutje, institucioni që mbron të drejtat e njeriut vlerëson se edhe EULEX, me gjithë pengesat që u është duke u bërë institucioneve të Kosovës që të kryejnë punën e tyre në pjesën veriore të Kosovës vazhdon edhe vet që të mos ndërhyjë në këtë pjesë, sikurse në të njëjtën linjë është rreshtuar edhe KFOR-i. 
“Komandanti i KFOR edhe një herë dëshmoi se bashkësia ndërkombëtare është duke bërë presion në mekanizmat e sigurisë siç janë KFOR dhe EULEX. Kjo për faktin se me gjithë premtimin për hapjen e rrugëve nuk e bëri këtë. KFOR u mjaftua me një shëtitje nga ajri për gazetarë që me gjithë deklarimet e zyrtarëve ushtarakë u dëshmua se bllokada vazhdon”. 
Ndër të tjera, KMDLNJ u bën thirrje institucioneve vendore që të mos bëjnë deklarime që më shumë ngjajnë në deklarata folklorike, por të kryejnë punën e tyre. 
KMDLNJ konsideron se nuk duhet lejuar që institucionet e drejtësisë të shantazhohen nëpërmes këtyre bllokadave, ndërsa vlerëson se me mosveprimin e tyre, KFOR dhe EULEX janë rreshtuar në anën e atyre që kanë bllokuar rrugët dhe që po e destabilizojnë veriun.