Lajme Shqip Thursday, 23 July 2015 08:06

 Stina e nxehtë e verës është edhe koha e ardhjes masive të mërgimtarëve në vendin e tyre.

Drejtori i Komunikimit në Ministrinë e Diasporës, Lorik Pustina, thotë për Telegrafin se kjo Ministri i ka bërë të gjitha parapërgatitjet e mundshme për Muajin e Diasporës.

“Do t’ju ofrojmë bashkatdhetarëve tanë jo vetëm aktivitete të bollshme gjatë ditëve që do t’i kalojnë në atdhe, por edhe lehtësira të shumta në aspektin administrativ”, ka thënë ai.

Por, kjo ministri nuk disponon të dhëna të sakta për numrin e mërgimtarëve në këtë sezon vere. Pustina thekson se mund të jetë një mesatare prej 500 bashkatdhetarëve që vizitojnë Kosovën në vit.

“Me të përfunduar procesi i Hartimit të Regjistrit të Diasporës dhe Mërgatës, në kuadër të fushatës ‘Ti je pjesë e atdheut’, do të kemi edhe shifra më të sakta”, thekson Pustina, duke shtuar se ministri i Diasporës, Valon Murati, para fillimit të sezonit veror ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, duke marrë zotimin e tyre se do t’i fusin në përdorim të gjitha kapacitetet për të shkurtuar kohën e pritjes për nxjerrjen e dokumenteve të gjendjes civile.

Për mërgimtarët, janë rreth 200 aktivitete të organizuara nga Ministria e Diasporës dhe partnerët e saj.

“Të gjitha këto do të kulmojnë me datat 1 dhe 2 gusht, në aktivitetet që do të organizohen në Prekaz e Prishtinë”, ka thënë Pustina.

Të hyrat në Kosovë nga diaspora, bazuar në vlerën e deklaruar nga Banka Qendrore e Kosovës, janë rreth 700 milionë euro.

Gjatë ditëve të verës, ata një shumë të madhe të parave e shpenzojnë në konsum të përditshëm, gjë që sipas Pustinës është dëshmi se shifrat e kontributit të tyre janë më të mëdha.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se gjatë 24-orëshit të fundit në Kosovë, përmes rajoneve kufitare kanë hyrë gjithsej 28.773 njerëz, ndërsa kanë dal 30.690 njerëz.

“Numri i hyrjeve të autobusëve të kontrolluar në tre rajonet kufitare – Perëndimi, Lindja dhe Veriu – është 316 autobusë, ndërsa kanë dal 300 autobusë të kontrolluar. Këmbësorë kanë hyrë 1128 dhe kanë dal 832 nga rajonet kufitare të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndryshe, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, priti për dy ditë radhazi bashkatdhetarët në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se duhet t’i japim fund epokës së mërgatës pa shtet.