Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 13:49

Shkup – Demokracia e Re (DR) gjatë ditëve të ardhshme paralajmërohet të përballet me dorëheqje të tjera. Kjo vjen si pasojë e dorëheqjes së liderit të saj, Imer Selmani dhe të nënkryetarit Abedin Zymberi. Një zyrtar i lartë i kësaj partie, ka bërë të ditur për Lajmeshqip.com se subjekti po shkon drejt shpartallimit dhe se nuk ka asnjë mundësi për ringritjen apo stabilizimin e tij, pas situatës së krijuar të dorëheqjes së kreut partiak, për shkak të dështimit dhe humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit, ku kjo parti nuk arriti të fitojë asnjë mandat deputeti, përkundër pritjeve të mëdha.

“Ka largime masive në heshtje nga kjo parti, pasi që ka një dëshpërim të madh për rezultatin e zgjedhjeve. Është më se e sigurt se ditëve në vijim do të pasojnë edhe largime të tjera, megjithatë duhet që kryesia dhe organet e tjera partiake të aktivizohen urgjentisht dhe ky proces të ndodhë me një përgjegjësi më të madhe nga kreu partiak”, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i DR-së, duke kërkuar që lideri i deritanishëm të marrë në dorë mbylljen e kësaj situate apo mbylljen e tërësishme të partisë.

Zyrtar të lartë të DR-së theksojnë se kreu i deritanishëm i partisë së tyre nuk përgjigjet pranë tyre dhe i shmanget çdo lloj komunikimi. Ky shqetësim së fundmi është shprehur edhe nga nënkryetari Abedin Zymberi, i cili një ditë më parë braktisi radhët e këtij subjekti.

“Çdo moment pres që të hapet zyra dhe të paraqesë dorëheqjen time sepse nuk dua të komprometohem me figura të cilat kanë vetëm interesin personal e aspak interesin shoqëror për të cilin kemi punuar ne për ata. Me këtë injorim ai realisht na ka nervozuar të gjithë strukturën e DR-së, konkretisht mua si nënkryetar partie. Unë edhe dje shkova në selinë e partisë, desha të takoj dikë. Atje pash dyert e mbyllura dhe deri në këtë moment edhe kryetari nuk është paraqitur në telefon, dhe kjo dëshmon se në këtë parti nuk ka më bukë. Fatkeqësia më e madhe është se paraqiti dorëheqjen pa u konsultuar as me strukturën dhe as me kërkon. Dha dorëheqje kokë në veti çka tregon qartë se kjo parti paska qenë vetëm pronë e dikujt por jo edhe parti shoqërore ku marrin pjesë të gjithë dhe që e kemi ndërtua të gjithë”, ka akuzuar nënkryetari i DR-së, Abedin Zymberi.