Lajme Shqip e Enjëte, 01 Mars 2012 15:51

Prishtinë (PLOTESUAR 1 Mars, 16:45) Është ndërprerë séanca gjyqësore në rastin “Kleçka” për shkak të problemeve shëndetësore të të pandehurit Behlul Limaj. Ai është dërguar nga policia në spital, pasi nuk ndihej mirë me shëndet.

Sipas avokatit të tij, Behlul Limaj, ka pasur edhe më herët probleme me zemër.

Në mungesë të një të pandehuri, kryetari i trupit gjykues, duke u mbështetur edhe në Kodin penal, ka marrë vendim që seanca të vazhdojë të hënën.

Ndërkohë, para kësaj, mbrojtja ka vazhduar prezantimin e argumenteve lidhur me atë se pse nuk duhet të merren parasysh dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si “Dëshmitari X”.

 ************************

Prishtinë-Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka vazhduar shqyrtimi kryesor në procesin Gjyqësor ndaj deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarëve të tij.

Avokatët mbrojtës të të akuzuarve në procesin gjyqësor të njohur si rasti “Kleçka” po vazhdojnë edhe sot me paraqitjen e argumenteve për mos pranueshmërinë e dëshmisë së dëshmitarit bashkëpunues tashmë të ndjerë Agim Zogaj.

Mbrojtja ka ofruar dokumente mjekësore të cilat flasin për probleme psikologjike të këtij dëshmitari i cili akoma pa filluar procesi gjyqësor ishte gjetur i vdekur në një park në Gjermani.

Lidhur me vdekjen  e tij dhe mënyrën e marrjes së deklaratave nga ana e prokurorit të çështjes, ka ngritur dyshime e veja e dëshmitarit, Ganimete Zogaj e cila ka thënë se gjatë gjithë kohës së hetimeve Agim Zogaj ka qenë në presion për cka ka shkruar edhe në ditarin e tij.

Mbrojtja e ka propozuar zonjën Zogaj si dëshmitare në këtë proces dhe konsideron se dëshmia e saj do të zbardhë shumë gjëra edhe lidhur me atë se si është trajtuar bashkëshorti i  saj gjatë hetimeve po edhe vet ajo e cila ka thënë se për një kohë të caktuar ishte mbajtur bashkë me të shoqin në izolonim në një objekt privat.

E ndërkohë që eksperti i grafologjisë ka konstatuar se ditari i quajtur “Ditari i dëshmitarit X”, është shkruar nga së paku katër persona, një cështje tjetër që i bën të papranueshme deklaratat e tij është edhe fakti se ato janë nënshkruar në gjuhën angleze, gjuhë kjo krejt e panjohur për dëshmitarin.

Gjatë ditës së sotme pritet që  të paraqesin argumentet e tyre edhe shtatë avokatë mbrojtës, ndërsa njëri ndër avokatët e deputetit Fatmir Limaj, Kharim Khan, do ta argumentojë papranueshmërinë e provave në seancën e paraparë për të hënën. (LajmeShqip.com)