Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 12:58

Bruksel – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot me presidentin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, të cilin e falënderoi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve të Bashkimin Evropian për perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Jahjaha, siç njofton kabineti i saj, theksoi se Kosova ka bërë përparime të theksuara në përmbushjen e kritereve dhe standardeve për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si edhe në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, që qytetarët e Republikës së Kosovës të udhëtojnë lirshëm si të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit.

“Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet dhe e gjithë shoqëria në Kosovë janë të përkushtuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës ku sundon ligji dhe rendi. Ajo tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësi e punës dhe Kosova ka ngritur të gjithë mekanizmat e nevojshëm për të luftuar këto fenomene negative”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Jahjaga theksoi se Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promovuese e fqinjësisë së mirë. Ajo tha se mbështet dialogun, e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me mbështetje të fuqishme të SHBA-së që po zhvillohet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve dhe për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.

Presidentja Jahjaga, siç theksohet më tej në komunikatë, tha se edhe takimi i presidentëve të të dyja vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja, është në funksion të normalizimit dhe relaksimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dy shteteve që aspirojnë anëtarësimin në BE.

Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, ndërkaq, e përgëzoi presidenten Jahjaga për rolin dhe angazhimin e saj të drejtpërdrejtë në mbështetje të dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Ai tha se dialogu është në funksion të frymës evropiane për të tejkaluar problemet e të kaluarës dhe për t’iu ofruar perspektivë të gjithë qytetarëve.

“Presidenti Rompuy theksoi se për të gjitha vendet e rajonit perspektiva evropiane është e qartë dhe e hapur dhe ato duhet të punojnë për të ndërtuar ura të bashkëpunimit të ndërsjellë”, përfundon komunikata.(Zëri/LajmeShqip.com)