Lajme Shqip Sunday, 14 April 2013 09:29

Kosovë- Një raport i organeve të sigurisë së Kosovës tregon se shumë qytetarë nga Kosova po udhëtojnë drejt Damaskut për t’u rreshtuar në anën e rebelëve sirianë në luftë kundër presidentit Bashar Al Assad.

Sipas këtij raporti mbledhja dhe organizimi i shqiptarëve që do të shkojnë në luftë kundër regjimit të presidentit Bashar Al Assad bëhet në dy pika. Njëra pikë është një xhami në Makofc të komunës së Prishtinës, ndërsa pika tjetër është në Mitrovicë.

“Një xhami e cila është e ndërtuar në fshatin Makofc të komunës së Prishtinës e cila është ndërtuar nga salafi, frekuentohet nga persona të cilët mund të jenë rekrutë të ardhshëm në luftën e Sirisë”, thuhet në këtë raport të siguruar nga mediat kosovare.

Arsim Krasniqi është kryetari i Lëvizjes Bashkohu, i cili edhe e ka dhënë tokën për ndërtimin e xhamisë në Makofc e mohon këtë mundësi. Por nga ana tjetër vetë ai i mbështetë ata që po kapin armët kundër regjimit të presidentit Assad.

“Nuk është e vërtetë, ata shkojnë me dëshirë dhe nuk mblidhen me grupacione, kjo është normale, që mundohen me e ndërruar kahjen vetëm pse jem myslimanë”, mësohet të ketë thënë Krasniqi.

Sipas këtij raporti shqiptarët shkojnë në grupe të vogla drejt Sirisë.(LajmeShqip.com)