Lajme Shqip Friday, 19 April 2013 20:52

Tiranë – Menjëherë pas konfirmimit të lajmit nga Baronesha, Catherine Ashton, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle ka uruar Kosovën dhe Serbinë për kurajon dhe angazhimin e tyre në këtë dialog.

Kjo është një ditë historike për marrëdhëniet e Serbi- Kosovë, për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjithë Bashkimin Evropian.

Kjo marrëveshje, thekson në deklaratën e tij, Fyle nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin e gjatë dhe negociatat e vështira mes dy Kryeministrave, Thaçi e Daçiç. Po ashtu, shton ai, falënderime të përzemërta për Baroneshën, Catherine Ashton, për investimin e saj personal dhe të palodhur për të arritur deri këtu.

Kjo qasje konsensuale do të ndihmojë të dy vendet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, vijon Fyle në deklaratën e tij.

Duke e konsideruar këtë një sukses të Bashkimit Evropian, Fyle shprehet se kështu punon BE-ja.

“Ne nuk jemi të dobët sepse ne përpiqemi të gjejmë konsensus, në të kundërt ne jemi shumë të fortë sepse jemi në gjendje të arrijmë kompromise.”- thekson ai.

E rëndësishme tanimë, sipas Fyles, është zbatimi në mënyrë aktive i kësaj marrëveshje.

Lideri i opozitës, Edi Rama ka reaguar menjëherë në Twitter pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.

“Krenar për Kosovën që fale një lidershipi vizionar fitoi luftën dhe paqen me dinjitetin më të madh! Më në fund dhe Serbia bëri gjënë e duhur.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen pas 10-të raundesh bisedimesh. Megjithatë, ende nuk janë bërë me dije detajet e marrëveshjes së firmosur nga të dy Kryeministrat.

Kryeministri, Sali Berisha e ka cilësuar historike dhe një arritje madhore tejet të rëndësishme marrëveshjen e sotme mes Kosovës dhe Serbisë.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Berisha shprehet se kjo marrëveshja e Brukselit ka një rëndësi të madhe  për të gjithë rajonin tonë, për paqen, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal dhe europian.

“Marrëveshja e sotme hap një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajonin tonë, në përpjekjet e tyre për një të ardhme të përbashkët europiane. Me këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare përshëndes vendosmërinë, kurajën, vizionin e të dyja palëve, të dy kryeministrave Thaçi dhe Daçiç, për arritjen e saj.”- thuhet në deklaratën e Berishës.

Ai ka përshëndetur edhe punën e bërë nga Baronesha Ashton për ndërmjetësimin e aftë, të durueshëm dhe të suksesshëm. Berisha ka falenderuar edhe mbështetjen që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në arritjen historike për Kosovën, Serbinë dhe rajonin tonë.

NATO, RASSMUSEN: I LUMTUR PER ARRITJEN E MARREVESHJES
Lajmet e fundit nga Brukseli thonë se në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë përveç Bashkimit Evropian do të nisin pergatitjet per aderimin edhe ne NATO. 
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së Anders Fogh Rasmussen do të takohet me të dyja delegacionet, atë të Prishtinës dhe të Beogradit.

Raportohet se delegacioni serb kërkon siguri nga Rasmussen, sidomos për prezencën e FSK-së në veri të Kosovës.

Takimi tek Sekretari Rasmusen vjen pasi tek marrëveshja e arritur, NATO do të këtë rol implementues. Kjo është edhe kërkesë e të dyja palëve, asaj serbe dhe asaj kosovare.

Ndërsa, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ka shkruar në rrjetin social Twiter se është i lumtur që NATO-ja ka kontribuar në arritjen e marrëveshjes të cilën ai e ka quajtur historike.

BARROSO: MARRËVESHJA TË IMPLEMENTOHET SA MË SHPEJT
Kryetari i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso ka deklaruar se arritja e marrëveshjes është historike, ndërsa është e rëndësishme që të implementohet sa më shpejt.

“Jam i bindur se marrëveshja e arritur në mes të dy palëve do të hapë rrugën për Këshillin për të marrë vendime për hapat e ardhshëm në rrugën evropiane të Serbisë dhe Kosovës. Populli i Serbisë dhe Kosovës duan të lëvizin përpara dhe të bëjë perspektivën e tyre evropiane një realitet”, ka thënë Barroso.

Sipas tij, kjo është vendimtare për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës Juglindore dhe të Bashkimit Evropian si një tërësi.

OSBE PËRSHËNDET MARRËVESHJEN MES BEOGRADIT DHE PRISHTINËS
Kryesuesi i Radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Leonid Kozhara, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur sot mes Beogradit dhe Prishtinës, me lehtësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, në Bruksel.

Duke e cilësuar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të raporteve dhe stabilitetit në rajon, Ministri Kozhara përgëzoi lidershipin në Beograd dhe në Prishtinë për guximin dhe vizionin në arritjen e kësaj marrëveshjeje. “Ky është fillimi i një kapitulli të ri dhe unë e mbështes vazhdimin e këtij dialogu i cili do të përmirësojë jetën e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së shtoi se, “e mirëpres këtë marrëveshje historike dhe gjithashtu bëj thirrje për zbatimin efektiv të saj”. “OSBE do të ofrojë mbështetje konkrete aty ku është e mundur dhe në pajtim me mandatin e saj. Ne tashmë kemi praninë më të madhe civile ndërkombëtare në Kosovë, e cila po punon në ndërtimin e institucioneve dhe demokracisë, dhe në promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në të mirë të të gjitha komuniteteve”. (LajmeShqip.com)