Lajme Shqip Thursday, 24 October 2013 17:13

-Astrit Leka, tanimë 89-vjeçar, rrëfen për Kongresin e Ushtarakëve Historianë, ku Shqipëria megjithëse anëtare nuk kishte përfaqësues, ndërsa atij iu desh që të mbronte ngjyrat e atdheut edhe pse ishte i deleguar nga Zvicra, nënshtetas i së cilës është prej shumë vitesh

 

Nga cili aktivitet ktheheni së fundit?

 

Isha në Kongresin e 39 të Komisionit Ndërkombëtar të Historisë Ushtarake, që u zhvillua në Torino, Itali. Atje kishin ardhur delegatë e 40 shteteve edhe 15 universitetet më të mëdha të botës, që nga SHBA, Japonia, Kina, Rusia, Gjermania, Franca, etj. Sigurisht me erdhi keq që Shqipëria nuk ishte e përfaqësuar, sepse edhe ne kemi një histori ushtarake që ka lënë gjurmë të mira, që nga lashtësia e deri më sot.

 

Me çfarë statusi ishit i ftuar në Kongres?

 

Isha i ftuar si veprimtar i historisë ushtarake, anëtar i Shoqatës së Historianëve Ushtarakë të Zvicrës. Unë jam qytetar zviceran, por në këtë kongres përfaqësova edhe ngjyrat e Shqipërisë. Para se të shkoja në Kongres me rastin e pranimit në Shoqatën e Historianëve Ushtarakë zviceranë, pata një letër falënderimi nga kryetari i shoqatës, gjeneral divizioni, Domenik Juliand që i shkruante këto fjalë “Nuk do të doja ta mbyllja këtë letër pa ju përgëzuar për punët dhe kërkimet e rëndësishme të bëra nga ju, për angazhimet për një botë më demokratike dhe t’u shpreh juve respektin tim përpara kaq dëshmive të shumta të mbështetjes dhe të homazhit që u janë bërë nga personalitete të tjera botërore”. Unë isha i futur në këtë kongres jo vetëm si historian, por edhe si aktor i historisë ushtarake. Rasti e ka dashur gjatë jetës time, prej 7 prillit 1939 e deri në ditët e kongresit, të marrë pjesë në ngjarje historike përcaktuese për fatin e njerëzimit.

 

Cilat kanë qenë këto ngjarje përcaktuese?

 

Në Labinot të Elbasanit, natën e 8 shtatorit 1943, i kthyer nga misioni britanik ku më kishte dërguar Enver Hoxha për të zëvendësuar Koço Tashkon, sapo u mor vesh kapitullimi i ushtrisë italiane, u ngarkova të merrja kontakt me drejtuesit italianë në qytete, që ata të dorëzoheshin te partizanët, lënien e armëve dhe shpëtimin e jetës së tyre nga ana jonë nëpër male, edhe pse në kushte të vështira. Ky ishte një aksion i madh për të mos i lënë italianët në dorën e ushtrisë gjermane.

 

Po pas luftës, cili ka qenë kontributi juaj?

 

Vite më vonë më është dashur që në Gjenevë të marr pjesë në ngjarje të rëndësishme historike ndërkombëtare, por ajo që është më e rëndësishmja ndërmjetësimi, midis përfaqësuesve të Xhorxhio Napoletanos, president i Italisë dhe të Romano Prodit, ish-kryeministër i Italisë, të autorizuar nga NATO, për të zgjidhur çështjen e karakterizimit terrorist ose jo, të UÇK-së. Përfaqësuesit e NATO-s me këtë rast u paraqitën tek unë me kërkesën që t’i ndërlidhja me përfaqësuesit e UÇK-së, pasi siç shkruan gazetari Maurizio Stefanini: “Astrit Leka ishte studiuar dhe kishte rezultuar se nuk bënte pjesë në asnjë rrjet spiunazhi në Gjenevë, i njohur si qytet jo vetëm diplomatik, por edhe i spiunazhit botëror”. Ata dinin gjithashtu se unë gëzoja besimin e shqiptarëve, por edhe besimin e shqiptarëve të Kosovës. Sipas tyre, unë isha personaliteti më i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje kaq të rëndësishme midis palëve. Nga takimet e ndryshme që u bënë doli se UÇK nuk ishte organizatë terroriste, por luftonte për lirinë e popullit të vet nga zgjedha serbe. Iu kërkua palës së autorizuar nga NATO që ta sanksionon këtë çështje në shtyp me një personalitet të njohur botërisht që të vinte në Gjenevë. Amerikani Gelbart, i njohur si një person kundër UÇK-së deri atëherë, erdhi në Gjenevë, mori kontakt direkt me përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare dhe çdo gjë u shpall në shtyp. Kështu shpjegohet që gazetari Stefanini më paraqiti mua si çelësi i zgjidhjes së çështjes midis NATO-s dhe UÇK-së, që solli më pas luftën e Kosovës, duke mos lejuar në këtë mënyrë që Kosova të bëhej një Bosnje e dytë.

 

Të kthehemi te kongresi. Çfarë ndodhi atje?

 

Kongresi  u hap me solemnitet dhe mediat e përmendën shumë rëndësinë e tij, por ajo që na intereson ne si shqiptarë është një artikull nga gazeta “Libero” e Italisë. Ja citime nga një artikull me titull: “Kështu jeton një armik i popullit të kësaj gazete: “Astrit Leka është një nga atdhetarët më të mëdhenj shqiptarë. Ai ishte një hero i rezistencës…” Artikulli vazhdon “…deri të shtunën vazhdon në Torino Kongresi i 39 me delegacione ushtarake të 40 vendeve e me historianë të 15 universiteteve, ku midis pjesëmarrësve një nga më të moshuarit është shqiptaro-zvicerani Astrit Leka, një 89-vjeçar i kthjellët, që mund të quhet kujtesa e gjallë e shekullit XX e më tutje”. Në një paragraf tjetër shkruhet: “Në Shqipëri kanë bërë një vepër teatrale për aksionet e tij, gjatë luftës partizane dhe kjo vepër ka marrë çmimin e konkursit të 40-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Kryetari i Komisionit të historianëve ushtarakë të Shqipërisë, i përcakton aksionet e tij me njësitet guerilje të rëndësisë evropiane. Kështu ai përmend aksionin që udhëhoqi në bodrumet e bankës së Durrësit, u mori mallin e destinuar për 15 mijë ushtarë gjermanë, që ishte lesh për veshje ushtarësh, më të cilat do të përballonin të ftohtin rus. Ky lesh u vu në dispozicion të partizanëve”. Që të kthehemi te kongresi, unë i ndoqa të gjitha punimet, i bëra vërejtje substanciale kumtesave të delegacioneve të ndryshme, si provë që ndërhyrjet e mija ishin të sakta e shkencore dhe dinjitoze për një historian shqiptar i cili në atë kongres ishte dhe aktor i historisë. Këtë e provoi me faktin se anëtari i komisionit ndërkombëtar të historianëve ushtarak, personaliteti i shquar zviceran, gjeneral dhe prof, dr. Fritz Joeckli, disa herë laureat i disa universiteteve, erdhi e më përgëzoi duke më pyetur çfarë kombësie kisha. Më erdhi mirë që i thashë: “jam shqiptar”. Në këtë kongres nisa përpjekjet për të futur Kosovën anëtarë të këtij Komisioni Ushtarak dhe për këtë mora kontakt  të drejtpërdrejtë me institucionin e drejtuar nga Agim Çeku në Prishtinë.

 

Shtypi italian/ Astrit leka dhe bisedimet NATO-UÇK

 

Maurizio Stefanini, në “Gazeta Liberal”, Romë, më 28 nëntor 2012 boton artikullin “Ndërmjetësimi i Lekës” me nëntitull: “Astrit Leka qe njeriu çelës i raporteve midis shërbimeve të fshehta italiane dhe luftëtarëve të UÇK”, ku shkruan: “Kjo ndodhi në kohën e luftës së Kosovës, para ndërhyrjes së NATO-s. Perëndimi i ngarkoi detyrë Italisë që të realizonte një kontakt me luftëtarët e UÇK, që të mund ta bënte veprën e tyre në pajtim me kërkesat e NATO-s. Në Gjenevë ishte një personazh, autoriteti i të cilit kishte bërë atë të besueshëm ndaj italianëve, shqiptarëve e kosovarëve, pra ishte njeriu që mund të bënte ndërmjetësimin e palëve. Pikërisht me atë, i dërguari italian foli një ditë të tërë dhe ra në ujdi duke mbetur pa mend kur Leka refuzoi të pranojë çfarëdo shpërblimi financiar nga ana jonë. UÇK pranoi të kufizonte disa veprime të saja. Pastaj Italia vuri në dispozicion bazat ushtarake për avionët e NATO-s, që vepruan kundër regjimit të Milosheviçit. Kosova arriti një pavarësi nën administrimin e OKB-së, pastaj erdhi shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Sot, Kosova njihet nga 95 vende prej 193 shteteve anëtare të OKB. Qe pikërisht Astrit Leka, njeriu i Gjenevës, dikur viktimë e regjimit të Enver Hoxhës, çelësi i tratativave midis NATO-s dhe UÇK, por edhe zgjidhës i kaq shumë çështjeve themelore gjatë këtyre 70 viteve të historisë së Shqipërisë”. (shekulli)