Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 09:09

Prishtinë – Në Gllogjan të Deçanit, nën patronazhin e Komunës së Deçanit, është shënuar dje përvjetori i 13-të i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin dhe 12-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Në tubimin qendror, morën pjesë personalitete të shquara të jetës politike e institucionale të vendit dhe autoritete të tjera.

“Marsi i vitit 1999 i NATO-s, nuk do të ndodhte pa marsin e 1998-ës së shqiptarëve”, ka thënë në fjalën e tij me këtë rast kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Në manifestimin në Gllogjan, u tha se “populli dhe luftëtarët e UÇK-së luftuan për të lënë prapa robërinë dhe vuajtjet”.

Rifat Jashari, duke folur në emrin e Familjes Jashari ftoi për unitet dhe veprime të duhura në mbrojtjen e vlerave të UÇK-së nga padrejtësitë që po u bëhen pjesëtarëve të saj.

Ai tha se një nga këto padrejtësi të mëdha ndaj këtyre vlerave, tash e sa vite po rëndon edhe mbi ish-kryeministrin e vendit dhe komandantin e UÇK-së Ramush Haradinaj.

Në po këtë ditë, Komuna e Deçanit e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi”, ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë.