Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 11:23

Prishtinë-Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Në këtë kuadër policia kufitare në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë ka arrestuar mbrëmë katër serbë të cilët me një makinë me tabela të Gjilanit po fusnin në Kosovë material zgjedhor për komunën paralele të Vitisë.

Policia ka kapur lista zgjedhore, fletë votime si dhe vulën  e Komunës së Vitisë që e përdorin strukturat paralele. Lajmin e arrestimit dhe mbajtjen e tyre në polici për Radio Kosovën e konfirmoi edhe Zëdhënësi i Policisë Baki Kelani.

Në mesin e të arrestuarve janë i ashtuquajturi kryetar i strukturave paralele të Komunës së Vitisë Sreqko Spasiç, dy punëtorë të komunës paralele Ivica Nojkiç dhe Aleksandar Stojiljkoviç, ndërsa personi i katërt i arrestuar është Svetozar Naskoviç, polic serbë, nga e ashtuquajtura drejtori e policisë së Ferizajit që funksion në Serbi.

Ndërkohë, ka reaguar qeveria serbe, e cila ka kërkuar nga EULEX ndërhyrjen për lirimin e të arrestuarve.

Zëdhënësia e Euleks-it Irina Gudeljeviç, ndërkohë, u ka deklaruar mediave serbe se çështja e kontrollit në pikën e kalimit Kufitar Dheu i Bardhë dhe arrestimi është në kompetencë të policisë së Kosovës dhe jo më e EULEX-it. (LajmeShqip.com)