Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 14:00

TIRANE- Partia Socialiste ka zhvilluar sot tryezën e dytë me biznesin e madh. Kryesocialisti Rama u shpreh para tyre se programi i Rilindjes Kombëtare ka për qëllim të rrisë komunikimin me grupet e interesit, duke shembur kështu barrierën e vendosur deri më tani, sic tha ai.

“Të mbyllim njëherë e përgjithmonë aksesin e privilegjuar me grupet e interesit. Të hapim një kapitull të ri ku si qeveria dhe opozita të komunikojë lirshëm me grupet e interesit. Të lëmë pas kapitullin e zymtë të moskomunikimit. Është e domosdoshme për sipërmarrjen që të flasë hapur, pa frikën se pasi flet i vjen shantazhi, presioni apo dëmi i radhës. Është e domosdoshme që edhe të gjitha forcat politike të dinë në detaje situatën ku ndodhet sipërmarrja”, tha Rama.

Kryesocialisti u shpreh më tej se “Sipërmarrja nuk ka ngjyrë politike, nuk duhet ndarë në vazhdën e ndarjes së përgjithshme që sot e pengon Shqipërinë të shkojë përpara, në blu dhe rozë”, tha ai. 

LOTARIA KOMBËTARE
Rama deklaroi gjatë punimeve të kësaj tryeze se do rishikojë të gjitha marrëveshjet në dëm të sipërmarrjes, duke përmendur këtu edhe marrëveshjen për Lotarinë Kombëtare. Nuk mund ta pranojmë, tha Rama, duke nënvizuar se do t’i kthehet publikut.

“Do rishikojmë të gjitha marrëveshjet në dëm të sipërmarrjes. Nuk mund ta pranojmë Lotarinë Kombëtare, ku shqiptarët humbin çdo ditë e fitojnë po atë, këtë s’mund ta pranojmë, do ja kthejmë publikut”, tha Rama duke shtuar se vlera themelore mbi të cilën pretendon të ndërtojë rrugën e së ardhmes është liria. 

TAKSA PROGRESIVE
Lideri i opozitës e ndali vëmendjen e tij edhe tek taksa progresive, për të cilën tha se jo vetëm që nuk e kërcënon biznesin e madh, por e ndihmon atë, pasi duke lehtësuar taksat e shtresës së mesme ju jep atyre mundësinë të konsumojnë më shumë.

“Vlera e progresivitetit nuk ju kërcënon, ju mund të shërbeheni më mirë. Qeveria nuk ka bilanc, nxit frikën dhe pasigurinë referuar opozitës. Taksa progresive që ne kemi në planin tonë, në mesatare do ta ketë ngarkesën 8% j0 10%, do lehtësojë 90% të njerëzve të punësuar në këtë vend. Lehtësimi i shtresës së mesme është një vlerë që kthehet tek ju, tek biznesi duke rritur konsumin. Këtë vit Shqipëria pati nivelin më të ulët të konsumit, që kur është vendosur taksa e sheshtë”, tha kryesocialisti. 

ARSIMI
Rama ka bërë të qartë para biznesmenëve që nuk është kundër arsimit privat në Shqipëri, por është kundër diplomave të pavlera. Ai tha se në programin e Rilindjes Kombëtare parashikohet sistemi i akreditimit të institucioneve.
“Jemi kundër atyre që e shohin studentin si klient. Do fusim në sistemin e akreditimit të gjitha universitetet si kudo në botë. Pastaj e njëjta gjë do ndodhë me shkollën e mesme, ku s’ka klikentelë, miq, kushërinj që kanë lidhje, por që ka vetëm një test që tregon cilësinë”, tha ai. 

SHËNDETËSIA
Kreu i PS dekloaroi ndër të tjera se në Shëndetësi do të aplikojë modelin anglez.
“Sot ka 1 milion shqiptarë të papunë. Këta të papunë janë të pasiguruar, me këtë sistem ju thuhet mos u sëmur se po s’pate lekë, mund të vdesësh dhe po u sëmure drejtohu zotit se doktorri do lekë. Ne i jemi referuar sistemit britanik, ku është shteti që e blen shërbimin dhe shërbimi i’u jepet të gjithëve sipas nevojës”, saktësoi Rama.

BIZNESMENËT 

IRFAN HYSENBELLI: BIZNESI DO KUADËR LIGJOR TË SAKTË 
Presidenti i ‘Hysenmbelliu Group’, Irfan Hysenbelli në fjalën e tij në tryezën e PS-së për biznesin e madh kërkoi një kuadër ligjor më të saktë për biznesin në mënyrë që të shmangen monopolet.

“Në lidhje me diskutimin e monopoleve, normalisht që ka pasur edhe kur keni qënë ju në qeverisje, një pjesë e atyre njerëzve janë edhe sot. Uroj që të përcaktojmë një draft ligjor që të mos ndodhë sic ka ndodhur në kohën e Bodes, që nuk konsultohet me biznesin, por edhe me Ramën kur u vendos 5 %-shi nuk u pyetëm. Mendoj se fjalimi është i mirë dhe ne e besojmë”,- theksoi Hysenbelli.

Ndërkohë duke ju referuar Lotarisë Kombëtare, biznesmeni Irfan Hysenbelli kërkoi konkurrencë të lirë në treg.
‘Sa i takon Lotarisë Kombëtare nuk besoj të jetë një shfaqje, pasi ata kanë qënë miqtë tuaj dhe kanë qënë miq në hije. Në komunikimet duhet të jemi më transparent, biznesi do kuadër ligjor të saktë që monopolet të mos krijohen. Konkurrrenca të jetë e lirë në treg. Nëse do aprovohet draft ligjor i saktë unë do jem mbështetës kryesor. Nëse drafti nuk do jetë i saktë, do jem pesimist”,- tha Hysenbelli.

Si përgjigje Rama theksoi: “Unë nuk kam qënë në qeveri dhe jam futur në PS se doja një PS sic duhet të jetë. Dhe në rast se i referohemi periudhës kur unë kam administruar Tiranën është bërë propagandë intensive për lejet e ndërtimit, por ka një fakt se në rreth mbi 1 mijë leje ndërtimi që ka dhënë Bashkia e Tiranës kur unë e drejtoja, janë mbi 300 subjekte që kanë marrë leje ndërtimit. Ndërsa sa i përket ekzistencës së monopoleve gjatë këtyre 7 viteve është agravuar problemi, ashtu sikundër ashkush nuk mund të pretendojë se në 1 mandat mund të zhduket korrupsioni”.

DHOMA E TREGTISË. DUHET TË MENDONI SISTEMIN E TVSH-së SË KONTROLLUAR
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka ngriti nevojën e një paketë të re fiskale për ndërtimet, ndërkohë duke ju referuar taksës së propozuar nga socialistët, Jaka vlerësoi se duhet menduar për futjen e sistemit të TVSH-së.

“Lidhur me taksat si Dhomë Tregtie kemi kërkesa të hershme, qeveria aktuale apo opozita duhet të mendojë mirë futjen e sistemit të TVSH-së, pasi shumë sipërmarrës të mëdhenj thonë se malli i tyre nuk shoqërohet me faturë të TVSH-së nga bineznesi i vogël”,- theksoi Jaka.

BIZNES ALBANIA: DEBATE AKADEMIKE PËR TAKSËN PROGRESIVE
Drejtori i Biznes Albania, Luan Bregasi propozoi që opozita të ndërmarrë debate akademike para se të vendosë për taksën progresive.
“Unë mendoj se ka një nuancë të re në taksën progresive dhe ju keni bindjen se kjo mund të jetë më e mirë. Mendoj se duhet të ketë debate akademike. Taksa progresive mund të jetë e mirë, por duhet provuar me argumenta që ajo që propozoni ju është më e mirë”,- deklaroi Bregasi.

Bregasi vuri theksin tek përmirësimi i marrëdhënieve institucionale mes biznesit dhe qeverisë.
“Përmirësimi i marrëdhënieve institucionele me biznesin duhe të bëhet më mirë. Duhet marrëdhënie më e mirë mes sipërmarrësve dhe qeverisë. Duhet të krijohen këshilla sociale ekonomike. Ne kemi shprehur mendim të qartë duhet të ndahen kompanitë që vuajnë për shkak të krizës dhe ato që vuajnë për shkak të kapricos së drejtuesit. Opozita duhet të kenë program të qartë”,- tha Bregasi. (LajmeShqip.com)