Lajme Shqip Saturday, 29 March 2014 16:31

Ministria e Energjetikës dhe Industrisë së Shqipërisë ka konfirmuar në mënyrë zyrtare se, do të bashkëpunojë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik në Kosovë, për krijimin e një tregu të përbashkët energjetik midis dy vendeve.

Dy ministrat e dikastereve përkatëse, Damian Gjiknuri dhe Fadil Ismajli pohuan bindshëm se, këtë herë do të përkushtohen maksimalisht me qëllim që kjo nismë të mos ngelet në kuadrin e premtimeve të pambajtura deri tani, por të zyrtarizohet dhe të intensifikohet puna për këtë nismë bilaterale.

Ky bashkëpunim i rëndësishëm do të nisë për linjën Prizren-Kukës. Për këtë linjë punimet do të zgjasin 2 vjet dhe do të kurorëzohet me linjën e Interkonjeksionit. Ministrat nuk dhanë detaje të tjera përsa i takon afateve se kur do të nisë dhe përfundojë ky treg i përbashkët energjetik.

 

Dhuna në burgje është konstatuar se është në nivele shqetësuese. Përgjatë të gjitha raporteve që janë hartuar mbi gjendjen nëpër burgjet tona, këto kryesisht raporte të organizmave të huaja dhe kërkesave të Avokatit të Popullit, janë hasur raste specifike kur gardianët kanë përdorur dhunë ndaj të burgosurve. Pikërisht për të evituar abuzimin ligjvënësit e Komisionit të Ligjeve vijuan dje diskutimin mbi ndryshimet e nevojshme në ligjin për Policinë e Burgjeve që trashmë propozohet të quhet Shërbimi i Sigurisë në Burgjeve. Deputetë i kushtuan vëmendje të veçantë mjeteve që duhet të mbajnë këto forca policore në raste të jashtëzakonshme. Drafti i qeverisë nuk sillte ndryshime nga ligji bazë ndërsa relatori Pirro Lutaj propozoi riformulimi të ligjit ekzistues duke saktësuar që: “Punonjësit e Shërbimit të Sigurisë në Burgje përveç rasteve të ngjarjeve të jashtëzakonshme nuk mbajnë armë vdekjeprurëse brenda regjimit të brendshëm. Mbajtja e mjeteve të tjera në regjimin e brendshëm si shkopinj gome, pranga, zinxhirë, lejohet vetëm kur nevojiten për garantimin e elementëve të sigurisë”. Ishte socialistja Vasilika Hysi e cila kërkoi eliminimin e çdo mundësie abuzimi.