Lajme Shqip Saturday, 23 March 2013 13:55

Prishtinë – Prokurori i Bashkimit Evropian ka shtuar më tepër akuza kundër shtatë kosovarëve lidhur me një skemë të trafikimit ilegal të veshkëve, nderkohe qe ka shfaqur pretendime se të dyshuarit kryesorë ishin konsultuar me zyrtarë të lartë qeveritarë për planet për të kryer transplantime.

Lajmin e raporton agjencia AP nga Prishtina, sipas te ciles ky është njëri nga rastet më të njohura të skandaleve me trafikim të organeve, që ka ndodhur në Ballkan në vitet e fundit.

Në akuzat e shtuara, për të parën herë, prokurori pretendon për një lidhje ndërmjet të dyshuarve në grupin e transplantimit dhe zyrtarë të nivelit të lartë të Kosovës.

Të dyshuarit, përfshirë edhe ish zyrtarin e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Ilir Rrecaj, janë të dyshuar se kanë përfituar afro një milione dollare nga kjo skemë, në periudhën 2008-2009.

Të shtatë të akuzuarit i kanë hedhur poshtë akuzat. Prokurori i EULEKS-it, Jonathan Ratel, në aktakuzën e zgjeruar dje, të cilën agjencia AP thotë se e disponon, thekson se të dyshuarit i kanë marre veshkat nga donatorët e varfër, përfshirë turqit dhe rusët, të cilët ishin joshur me premtime financiare.

Perfituesit ishin njerëzit nga Izraeli, Kanadaja dhe Gjermania, që kishin paguar deri në 100 mijë dollarë për transplantim. Pretendohet se janë kryer së paku 48 transplantime të veshkëve.

“Këto plane, shqyrtimet dhe përgatitjet…përfshinin konsultime të përsëritura dhe disa takime me zyrtarë të lartë në Qeverinë e Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

Associated Press më tej raporton se transplantimet e organeve në Kosovë janë të ndaluara. Në aktakuzën e zgjeruar theksohen edhe lëndimet e rënda trupore, mashtrimi dhe falsifikimi i dokumenteve. (REL/LajmeShqip.com)