|
|
e Premte, 14 Tetor 2011 11:10 Kreu i shtetit Bamir Topi vendoi të kthejë për rishqyrim në kuvend ligjin për mbetjet i cili vetëm pak ditë më parë u votua nga mazhoranca në kuvend përmes kundërshtimit të opozitës dhe shoqërisë civile në Shqipëri.
Në argumentimin e tij, presidenti ka nënvizuar se në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për “minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve”, apo “pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve”.
Neni 49 i ligjit,- ka thënë presidenti Topi- duke parashikuar dhe lejuar importin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë jo vetëm që nuk ndihmon në arritjen e këtij qëllimi, pra në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve.
Kjo bën që dy dispozitat të bien në kundërshtim me njëra – tjetrën dhe neni 49, gjithashtu, të kufizojë mundësinë e arritjes së objektivit kushtetues për një mjedis të shëndetshëm.