Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 15:37

Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti të martën Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nikolas Kanon Obe, i cili paraqiti Letrat-kredenciale.

Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë dhe njëkohësisht suksese në detyrën e rëndësishme, Presidenti Topi e siguroi ambasadorin britanik për mbështetjen e institucioneve shqiptare gjatë misionit të tij diplomatik në Shqipëri, si përfaqësues i një vendi mik dhe partner strategjik si Mbretëria e Bashkuar.

Pasi bëri një përshkrim të situatës në rajon dhe zhvillimeve më të fundit në vend, Kreu i Shtetit vuri në dukje objektivin kryesor të shtetit shqiptar, përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, brenda vitit 2012, që përkon dhe me 100-vjetorin e Pavarësisë.

Gjatë takimit, Presidenti shqiptar dhe Ambasadori britanik ndanë të njëjtat pikëpamje për sa i takon rëndësisë së pavarësisë së institucioneve kushtetuese, të konsolidimit të gjyqësorit dhe parimeve të demokracisë për ndarjen dhe ekuilibrin e pushteteve, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përmbushjes së reformave dhe kritereve të kërkuara për integrimin në BE.

Ambasadori britanik, Nikolas Kanon Obe, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj integrues për në BE. Ai vlerësoi rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, duke shprehur mirënjohjen edhe për kontributin e trupave ushtarake shqiptare në Afganistan në kuadër të koalicionit ndërkombëtar që lufton kundër një kërcënimi global, siç është terrorizmi. (LajmeShqip.com)