Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 13:01

Tiranë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ngushëlloi familjarët e deputetes dhe ish-ministres së Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Nekibe Kelmendi, e cila u nda nga jeta një ditë më parë nga një sëmundje e rëndë.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të intelektuales e deputetes Nekibe Kelmendi, e cila me dinjitet e krenari jetoi dhe punoi edhe pas humbjes së bashkëshortit dhe dy djemve, që u vranë barbarisht nga forcat serbe në vitin 1999″, thuhet në mesazhin e Kreut të shtetit.

“Në këto momente të vështira për ju, për popullin e Kosovës dhe të Shqipërisë, ne ndajmë me ju edhe vlerësimin tonë më të lartë për personalitetin e saj të spikatur në fushën e drejtësisë, angazhimin politik shumëvjeçar e për kontributin e madh në mëvetësimin si dhe lartësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Duke ju gjendur shpirtërisht pranë në këtë çaste të rënda, shpreh besimin se jeta dhe vepra e Nekibe Kelmendit do të ruhet ngahera me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve”, përfundon mesazhi i ngushëllimit i Presidentit të Republikës.