Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 18:35

 

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot, Nobelistin me origjinë shqiptare dhe njëkohësisht edhe “Nderin e Kombit” tonë, Dr. Ferid Muradin, me rastin e vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Kreu i Shtetit vlerësoi përkushtimin dhe arritjet e Dr. Muradit në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, të cilat kanë merituar njohjen e bashkësisë së shkencëtarëve dhe mjekëve në mbarë botën.

“Për të gjithë të rinjtë shqiptarë që u kanë kushtuar studimet e tyre mjekësisë dhe kërkimeve shkencore, pa të cilat nuk mund të mendohet zhvillimi i një vendi, një shembull i tillë vullneti dhe vendosmërie profesionale shërben si një model dhe motiv i fortë për punën e tyre në të ardhmen”, u shpreh Presidenti, duke theksuar se “jeta dhe vepra e nobelistit me origjinë shqiptare, përbëjnë një nder dhe pikë referimi, jo vetëm për gjithë kombin tonë, por edhe për shkencëtarët shqiptarë dhe më gjerë.

Nga ana e tij, Dr. Muradi përshëndeti ndryshimet rrënjësore dhe arritjet e mëdha që ka shënuar Shqipëria gjatë dekadave të fundit.

Kryetari i Shtetit dhe Nobelisti me origjinë shqiptare theksuan domosdoshmërinë e arsimimit të brezit të ri të shkencëtarëve shqiptarë dhe thellimit të kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e mjekësisë, duke vënë në dukje rëndësinë që ka rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor sigurimet shëndetësore, investimet në këto fusha si dhe përsosja e mëtejshme e kërkimit shkencor për mirëqenien e qytetarëve shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre.

Edhe kryeministri Berisha priti dje në mbrëmje, nobelistin në mjekësi dhe fiziologji, me origjinë shqiptare, Prof. Ferid Muradi.

Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shpreh se është nder i madh që një shqiptar merr çmimin Nobel.

Gjatë bisedës miqësore, Kryeministri vlerësoi kontributin e shquar të Prof. Murad në fushën e kërkimit e drejtimin shkencor, në mësimdhënie në mjekësi, në institucionet nga më prestigjiozet dhe eksperiencën e gjerë të tij në industri.