Lajme Shqip e Shtunë, 30 Qershor 2012 07:15

Prishtinë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi i dorëzoi kryetarit të Prishtinës Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për shkak të Rolit historik në përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi, për meritat e veçanta në zhvillimin e lëvizjes kombëtare, përkrahjen e dijes dhe përparimin kulturor, për qytetarinë, sakrificat dhe kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e traditës dhe forcimin e identitetit kombëtar”.

Sipas kumtesës së KK të Prishtinës, Isa Mustafa e ka pritur të premten presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me ç’rast e ka falënderuar atë për vizitën si president i Shqipërisë dhe qytetar nderi i Prishtinës.

“Ju falënderoj për kontributin e dhënë si president i Republikës së Shqipërisë, për të arriturat e vendit tuaj, për avancimin e demokracisë, forcimin e institucioneve, anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë, si dhe për kontributin që keni dhënë për shtetin e Kosovës”, tha i pari i kryeqytetit.

Ndërkaq, presidenti Topi u shpreh: “Sa herë e vizitoj Prishtinën ndihem i emocionuar, gjatë këtij mandati kam qenë dëshmitar i ngjarjeve të mëdha, ngjarjeve historike si për Kosovës ashtu edhe për Shqipërinë”, tha Topi, duke përmendur shpalljen e shtetësisë së Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë etj.

‘Unë kam një emocion të veçantë sepse ndjehem realisht qytetar i Prishtinës, pasi që jam ‘qytetar nderi i Prishtinës’, andaj roli juaj, zoti Mustafa, është i dyfishtë, ju jeni kryetar i kryeqytetit dhe kryetar i partisë historike të cilën e ka udhëhequr lideri i madh Ibrahim Rugova, kontributi juaj në ecjen përpara të Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm”, shtoi presidenti shqiptar.

Isa Mustafa theksoi se presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, tashmë nuk është figurë vetëm e një partie, por i takon të gjitha viseve shqiptare. “Sa po kalon koha dhe vitet, roli, kontributi dhe respekti për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, për lirinë dhe pavarësinë e vendit po rritet dhe ai tashmë nuk është figurë vetëm e një partie, por i takon të gjitha viseve shqiptare”, tha kreu i Prishtinës.

Në këtë takim u fol edhe për zhvillimet politike në Kosovë e Shqipëri, si dhe për çështje tjera që kanë të bëjnë me dy shtet. (LajmeShqip.com)