Lajme Shqip Wednesday, 31 July 2013 16:46

Tiranë – Një grup ish- të përndjekurish politikë dhe trashëgimtarë të tyre kanë vendosur që të padisin kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli për shpërdorim detyre.
“Z. Prokuror! Në zbatim të së drejtës që na jep Kushtetuta dhe Nenet 58 | 1-3, 283 dhe 194 të Kodit Pr. Penale, kërkojmë procedim penal të znj. Jozefina Topalli, që duke qenë në detyrën e kryetares së Kuvendit, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 të K. Penal”, shkruhet ndër të tjera në këtë kërkesë-padi drejtuar kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Lajmi u konfirmua për gazetën Dita edhe nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave padia është bërë rreth një javë më parë.
Padia është interesante, pasi përmbledh disa nga akuzat publike që i janë bërë Topallit.
Fillimisht thuhet se Topalli ka marrë të gjitha shpërblimet që i kanë takuar trashëgimlënësve të saj të përndjekur, kurse qindra të dënuar të tjerë nuk janë futur akoma në lista për shpërblimet, shkruan Tema. 
Më pas thuhet se po ashtu Topalli ka ndërhyrë pranë gjykatave për të dënuar denoncuesit e krimeve të saj dhe familjarëve të kryeministrit.
Në padi thuhet se Topalli nuk ka paguar taksat dhe i ka shmangur ato.
“Zonja Topalli numëron tashmë një numër të madh pronash, që i kalojnë disa miliona euro. Ajo ka një godinë në qendër të Shkodrës, që e ka dhënë me qira për mijëra euro. Nuk ka shumë kohë që Topalli përfundoi së ndërtuari edhe një ndërtesë prej 4 katesh, në qendër të Shkodrës, në pedonale,” thuhet në padi.
Topalli akuzohet edhe si e dyshuar për vrasjen e veprimtarit të Partisë Demokristiane, Aleks Keka.
Po ashtu, paditësit thonë se Topalli qëndron pas arrestimit të kryetarit të komunës Rrethina në Shkodër, Kleves Muja.