Lajme Shqip Thursday, 05 July 2012 20:44

Tiranë – Thellohet skandali në Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Pas abuzimeve me tenderat dhe dietat në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit evidentohen shkelje edhe me blerjen e karburantit.

Në tenderin e zhvilluar më datë 8 korrik 2009 janë vënë në dispozicion për blerje karburanti dhe lëndë djegëse mbi 95 mln lekë të vjetra. KLSH zbulon abuzime jo vetëm me përcaktimin e këtij fondi, por edhe me përzgjedhjen e fituesit të tenderit.

Kështu sipas raportit, për llogaritjen dhe argumentimin e fondit limit rezulton se sektori i shërbimeve dhe blerjeve nuk ka bërë llogaritjen e nevojave për karburant dhe lëndë djegëse, duke u nisur nga numri i mjeteve në përdorim, tipet e automjeteve që disponojnë fakultetet dhe rektorati dhe normativat e harxhimit të karburantit për secilin automjet, të cilat janë të dhëna bazë në përllogaritjen e nevojave për karburant. KLSH konstaton se ky veprim është në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.

Gjithashtu në përcaktimin e fondit prej 95 milion lekësh për blerje karburanti dhe lëndë djegëse nuk janë bashkëngjitur të dhënat për sistemin e ngrohjes, sa kaldaja janë në përdorim, sa janë normativat e harxhimit të karburantit për orë pune dhe sa orë pune mendohet që të punojnë këto kaldaja për vënien në punë të sistemit të ngrohjes. Gjithashtu nuk janë paraqitur të dhënat për gjeneratorët, numrin e tyre, fuqinë, normativat dhe harxhimin e karburantit dhe për orët e puna.

KLSH zbulon shkelje edhe në përcaktuesin e fituesit të tenderit, pasi në raport theksohet se në kriteret e veçanta të kualifikimit të përcaktuara në dokumentet standarte të tenderit konfirmohet se operatori ekonomik duhet të ketë pika shitje karburanti në çdo qark. Në dokumentat e subjektit fitues të tenderit nuk janë depozituar dokumentet që vërtetojnë në pronësi apo në përdorim pikat e shitjes së karburantit për çdo qark. (LajmeShqip.com)