Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 12:07

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot paradite në zyrën e tij njëzet fëmijë nga “Fshati SOS”, me rastin e Festës së tyre, 1 Qershorit, ku bëri një apel për ndërgjegjësimin e mbarë shoqërisë shqiptare, për më tepër përkujdesje ndaj fëmijëve, brezit që përfaqëson të ardhmen e vendit.

Në këtë ditë të shënuar për fëmijët, Kreu i Shtetit shqiptar shprehu urimet më të mira për të gjithë fëmijët, prindërit e mësuesit e tyre.

“Duhet të mendojnë për jetën e fëmijëve dhe për të ardhmen e tyre. Çdo prind duhet të jetë i ndërgjegjshëm për krijesat që ka sjellë në jetë dhe ky është një apel edhe për institucionet dhe median që të mendojnë çdo ditë të vitit për ju, sepse ju do të jeni e ardhmja e këtij vendi”, iu drejtua Presidenti fëmijëve të pranishëm.

Më pas Kreu i Shtetit shqiptar u shpërndau atyre libra, si dhurata simbolike me rastin e Festës së 1 Qershorit.