Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 17:05

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi me Zonjën e Parë, Teuta Topi, të ftuar nga Presidenti i Republikës së Italisë, Xhorxho Napolitano morën pjesë sot në festimet zyrtare në Romë me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së Bashkimit të Italisë.

Sipas njoftimit për shtyp nga Presidenca, në ceremonitë solemne të organizuara me këtë rast në 65-vjetorin e Republikës Italiane dhe në Ditën e Festës Kombëtare, 2 qershor, ishin të pranishëm rreth dyzet e dy krerë shtetesh e drejtues qeverish të shumë vendeve evropiane, midis të cilëve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Zv/presidenti i SHBA-së, Xhozef Bajden, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, drejtues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Aktivitetet e planifikuara me këtë rast nisën me ngritjen e flamurit në “Altarin e Atdheut” në Piaca Venecia në Romë dhe homazhet para monumentit të Ushtarit të Panjohur, duke u pasuar nga prezantimi zyrtar me Presidentin italian Napolitano të Kryetarëve të Delegacioneve dhe personaliteteve të larta, të cilët u vendosën në Tribunën Presidenciale për të ndjekur nga afër paradën madhështore ushtarake me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së Bashkimit të Italisë në “Via dei Fori Imperiali”.

Duke shënuar hapjen zyrtare të aktiviteteve festive, Presidenti italian Napolitano shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e kryetarëve të delegacioneve shtetërore dhe drejtuesve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare në kremtimin solemn të kësaj ngjarje, që synon të japë mesazhin e bashkimit kombëtar dhe identitetit të shtetit italian.

Në takimin me Presidentin Napolitano, Kreu i Shtetit shqiptar, pasi shprehu urimet për Festën Kombëtare dhe për 150-vjetorin të Bashkimit të Italisë edhe në emër të popullit shqiptar dhe vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy popujve tanë, që janë një bazë e fuqishme për forcimin e mëtejshëm të miqësisë, përparimit dhe begatisë së dy vendeve tona fqinje.