Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 18:13

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (Pas vdekjes), Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën, të cilët u ekzekutuan nga regjimi komunist si organizatorët kryesorë të revoltës së të burgosurve politikë në burgun famëkeq të “Qafë-Barit”, në vitin 1984.

“Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë për kurajon qytetare, aktet e disidencës antikomuniste dhe guximin e treguar gjatë gjithë veprimtarisë së tij, për sakrificën sublime në organizimin dhe drejtimin e revoltës së ‘Qafë Barit’”, thuhet në motivacionin e dekreteve që shoqërojnë dekorimet e akorduara nga Kreu i Shetit.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Topi tha se “Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja nuk janë thjesht martirë të demokracisë, por janë simbole të qëndresës dhe disidencës politike”, ndërsa nënvizoi se “revolta e ‘Qafë Barit’ dhe shtresa e ish- të përndjekurve politikë i treguan diktaturës se ajo ka burgosur trupat, por jo mendjen dhe shpirtin”.

“Si President dhe si qytetar, dua të shpreh sot nderimin më të thellë timin personal dhe të Shtetit shqiptar për Sokolin dhe Tomën, për shokët dhe bashkëvuajtësit e tyre në ‘Qafë Bari’ dhe kudo në ish-burgjet politike dhe kampet e internimit”, u shpreh më tej Presidenti Topi.

Ai nënvizoi se, “shteti dhe shoqëria jonë i kanë përjetë borxh plejadës së nderuar e fisnike të ish-të përndjekurve politikë, të cilët pranuan sakrifikimin sublim, por nuk u pajtuan me regjimin diktatorial dhe kështu mbajtën gjallë shpresën e frymëzimin për një Shqipëri demokratike, në të cilën merr vlerë fjala dhe jeta”.

Me këtë rast, Presidenti Topi, i bëri apel të gjitha institucioneve shtetërore qendrore e lokale, që kanë informacion ose mekanizma verifikimi, që të bëjnë gjithçka kanë në dorë për të gjetur, identifikuar dhe nderuar ashtu siç duhet, çdo person të zhdukur dhe individ të ekzekutuar në regjimin komunist.”

Gjithashtu, Kreu i Shtetit bëri apel edhe ndaj atyre personave që kanë dijeni për vendndodhjen e trupave të varrosur pa adresë, që duke dëshmuar akte pendese dhe humanizmi të ndihmojnë familjet e tyre duke u treguar vendndodhjen e saktë.