Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 16:45

Tiranë – Gjykata Kushtetuese i hoqi sot mandatin deputetit të PS-së, Ilir Beqja, pas pranimit të kërkesës së maxhorancës që kërkonte papajtueshmëri me detyrën të mandatit të deputetit socialist.

Më 21 tetor 2010 Kuvendi votoi me shumicë votash “pro” kërkesës së Partisë Demokratike për dërgimin e çështjes së mandatit të deputetit Beqja në Gjykatën Kushtetuese, për të konstatuar papajtueshmërinë me detyrën.

Me anë të kësaj kërkese, Kuvendi i propozonte Kushtetueses heqjen e mandatit të deputetit Beqja, pas akuzave që PD ngriti ndaj tij për përfitime tenderash gjatë kohës që ishte i veshur me mandatin e deputetit.

Në kërkesën e deputetëve demokratë drejtuar kësaj Gjykate theksohej se deputeti Beqja ka përfituar në datën 9 dhjetor të vitit 2009 nga Bashkia Durrës, 24 milion e 240 mijë lekë.

Pas heqjes së mandatit të z. Beqja, Kodi Zgjedhor parashikon kalimin e tij (mandatit të deputetit) kandidatit vijues të listës të së njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.