Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 17:06

Tiranë – Komisionet Ndërshtetërore të Shqipërisë dhe Malit të Zi diskutuan sot lidhur me realizimin e masave për rregullimin e regjimit ujor të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, pas situatës së përmbytjeve të krijuar në nëntor-dhjetor 2010.

Zyra e Shtypit e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave njoftoi se takimi u përqendrua në paraqitjen e aktiviteteve të deritanishme mbi realizimin e pikave të planit të veprimtarive afatshkurtra për parandalimin e qëndrueshëm të përmbytjeve në basenin e lumit Buna, prezantimin e projekteve dhe studimeve për fazën afatshkurtër, si dhe diskutimin mbi implementimin e aktiviteteve për fazën afatshkurtër, si dhe mbi programin e veprimtarive në të ardhmen.

Palët konkluduan në një plan veprimi që duhet ndjekur me përparësi si, kryerja e punimeve nga pala shqiptare për realizimin e projektit të zbatimit “Masa mbrojtëse nga përmbytja përgjatë lumit Buna dhe rritja e aftësisë përcjellëse të Murtemzës”. Objekt në këtë projekt janë rehabilitimi i argjinaturës Belaj – Shirq, rehabilitimi i argjinaturës Shirq – Kanali Kullues KK-5, mbrojtja e bregut nga gërryerjet e lumit Buna në zonën e banuar Dajç, rritja e aftësisë përcjellëse të grykës së Murtemzës dhe rehabilitimi i argjinaturës së Vilunit (Velipojë), si dhe pastrimi i lumit të Bunës në zonën e Daragjatit.

Ndërkohë, pala malazeze do të përqendrohet në kryerjen e punimeve si, rehabilitimi dhe finalizimi i argjinaturave në anën malazeze të bregut të lumit, si dhe sigurimi i aftësisë ujëpërcjellëse të shtratit të Bunës në gjysmën e djathtë të tij në anën malazeze.