Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 11:55

Tiranë – Në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Zbatimi i Planit Kombëtar për Përafrimin e Legjislacionit Mjedisor” (INPAEL), Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi mori sot pjesë në ekspozitën me punimet e nxënësve “Ndotja e ajrit dhe trafiku ne Tiranë-siç e shoh unë”, çelur tek “Shkolla e Kuqe”.

Ambasadori theksoi se “të gjithë duhet të kontribuojmë për të mbrojtur mjedisin” dhe deklaroi se “ndihem i lumtur kur shoh që kultura dhe ambienti shkojnë dorë për dore”.

Më tej Sequi vuri në dukje se “të gjithë politikanë, fëmijët dhe mësuesit evropianë po i kushtojnë mjedisit të njëjtën kujdesje dhe jam i impresionuar, që ju tashmë me punimet tuaja, jeni dhe ndiheni evropianë”.

Ambasadori njoftoi se “Komisioni Evropian ka ofruar një ndihmë prej 2 milionë euro për agjencinë e mjedisit”, duke e konsideruar si një fakt “që BE-ja kujdeset për Shqipërinë dhe është e përkushtuar për të mbrojtur mjedisin”.

Ekspozita “Ndotja e ajrit dhe trafiku ne Tiranë-siç e shoh unë” është pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit, të ndërmarrë nga projekti për cilësinë e ajrit urban dhe ndikimin e tij në shëndet dhe mjedis.