Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 13:59

Tiranë – Kuvendi miratoi të martën me 71 vota të deputetëve të maxhorancës p/vendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të disa ndryshimeve në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”.

Projektligji në fjalë, parashikon një amendim të ligjit në fjalë, të miratuar në tetor 2000, i cili synon të zgjidhë nevojat imediate për një përmirësim të kuadrit ligjor, në mënyrë që të krijohet një bazë e konsoliduar dhe e plotë ligjore për procesin e censusit të popullsisë dhe të banesave.

Kjo bazë ligjore ndihmon në përcaktimin e një procedure edhe më transparente për censusin, mekanizma institucionalë me kompetenca e detyra të ndara qartë, duke përmirësuar ndjeshëm marrëdhënien midis tyre, me qëllim kryesor zbatimin me eficencë të dispozitave të ligjit.

Ndërkohë, edhe në seancën e sotme mungonin deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që  vijojnë bojkotin ndaj parlamentit në shenjë kontestimi ndaj vendimeve të KQZ-së për bashkinë Tiranë.