Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 20:49

Tiranë – Partia më e madhe e opozitës në Shqipëri, ajo Socialiste, festoi 20-vjetorin e themelimit, në kryeqytetin shqiptar. Kryetari aktual i PS-së mbajti një fjalim të shkrutër me këtë rast, duke ia dedikuar hedhjen e themeleve të PS-së në vitin 1990, ish-anëtarit dhe shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli.

800 persona të ftuar, jo vetëm drejtuesit socialistë në Tiranë e rrethe, por edhe të ftuar nga trupi diplomatik, komunitetet fetare dhe aleatët e Partisë Socialiste ishin të pranishëm në festën e socialistëve, por asnjë ftesë për Nanon, Berishën dhe ish-aleatin Ilir Meta.

“Ka shumë dallim mes Shqipërisë që kemi, ku humbasim përditë vlera e mundësi dhe Shqipërisë ku dëshirojmë të ngjitemi, drejt vlerave Evropiane. Vendi ynë ka pasur plot kthesa dramatike nga diktatura në demokraci. Në këtë 20-vjetor duhet të ndjehemi krenarë, sepse kështu si sot ne jemi pozicionuar në anën e duhur të historisë”, deklaroi Rama. Por, sipas Ramës vlera më e madhe e PS-së është demokracia brenda saj, prandaj, deklraoi ai, zakoni e do që duhen thënë vetëm fjalë të mira. “Unë sot do të rendis 3 prej tyre. Ne jemi parti që bëmë gjënë e duhur për interesin kombëtar. Respektojmë të gjithë qytetarët, liritë e të drejtat e tyre. Punojmë për të ndryshuar për të mirë Shqipërinë. Mirënjohje për ata që kanë kontribuar në 20 – vjet. Në Partinë Socialiste nuk ka munguar asnjëherë liria, kjo e bën të madhe forcën për të rezistuar ndaj çdo sulmi që i bëhet lirisë”, tha ndër të tjera në fjalën e tij, kryetari i PS-së, Edi Rama.