Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 17:33

Tiranë – Partia Socialiste dorëzoi sot në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve një tjetër kërkesë kundër rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë, të shpallur nga KQZ.

Objekti themelor i padisë është kundërshtimi dhe kërkesa për anulimin e vendimit nr. 1158 datë 25/06/2011 të KQZ-së, si kërkesë e parë në padinë ankimore.

Kërkesa e dytë shpreh shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendra votimi, ku socialistët kanë argumentuar se ka pasur probleme për shkak të mospërputhjes së numrit të fletëve të votimit me numrin e votuesve.

Të shtunën KQZ shpalli fitues në bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashën, e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” me 93 vota avantazh ndaj Edi Ramës të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” pas numërimit të të gjithë fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Rinumërimi u bë në bazë të vendimit të Kolegjit Zgjedhor.