Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 12:25

Tiranë – Pas mospranimit të kërkesës ankimore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Socialiste pritet t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor me padinë e radhës për të kundërshtuar vendimin e KQZ-së për tabelat e rezultateve për bashkinë Tiranë.

Sipas kodit zgjedhor, PS ka pesë ditë afat për të depozituar në Kolegj kërkesën ankimore, i cili nga ana e tij ka dhjetë ditë kohë për të vendosur për ecurinë e procesit të zgjatur zgjedhor për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Çështja ankimore e paraqitur të martën nga socialistët në Komisionin Zgjedhor kishte objekt të dyfishtë: nga njëra anë ajo kundërshtonte vendimin e KQZ-së të 25 qershorit, që shpalli fitues në Tiranë kandidatin demokrat, Lulzim Basha me 93 vota, ndërsa nga ana tjetër kërkonte shpalljen e pavlefshmërisë për 284 qendra votimi në kryeqytet.

Në pretendimet e saj opozita i referohej diferencave në shifra në tabelën e rezultatit të shpallur nga KQZ, si ajo mes votave dhe numrit të votuesve, si dhe faktit që shuma e fletëve të vlefshme dhe atyre të pavlefshme nuk korrespondonte me numrin e fletëve të gjetura në kutitë e votimit.

Në arësyetimin ligjor të bërë nga relatori i çështjes, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, kërkesa ankimore e PS-së konsiderohet e pavlefshme në të dy pikat e saj. Sipas tij, në pikën e parë kërkesa nuk duhet të kalonte për shqyrtim për shkak të mungesës së kompetencave, ndërsa pika e dytë ku kërkohej rivotim në 284 qendra votimi, nuk duhet të kalonte për shqyrtim për shkelje të afatit 3 ditor.

Por, për përfaqësuesit ligjorë të PS-së, kërkesa e tyre ishte brenda afateve, plotësonte kriteret dhe ishte paraqitur para organit kompetent për ta gjykuar atë.