Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 10:46

Tiranë – Partia Socialiste depozitoi të enjten paradite në Kolegjin Zgjedhor kërkesën ankimore, përmes së cilës kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 284 qendra votimi në Tiranë. Ankimimi i socialistëve shoqërohet me dokumente që mbështesin pretendimet e opozitës per manipulime me votat.

Krahas kërkesës ankimore, PS depozitoi sot në Kolegj edhe të gjitha provat filmike të procesit të numërimit në KQZ, të cilat sipas saj, provojnë manipulimet e bëra.

Në ankimimin e saj PS thekson se në 284 qendra votimi janë konstatuar shkelje, si mospërputhja e numrit të fletëve të votimit me numrin e votuesve, mungesa e kodit të pestë, etj. Gjithashtu, socialistët ankohen dhe për një sërë parregullsish të konstatuara gjatë hapjes së kutive në KQZ.

Sipas kodit zgjedhor, nëse KQZ apo Kolegji shpallin pavlefshmëri qoftë edhe në një qendër votimi, e gjithë Tirana kalon në rivotim për shkak të ndikimit që ka rezultati i asaj qendre votimi në rezultatin e zgjedhjeve.

Më 25 qershor KQZ shpalli kandidatin demokrat, Lulzim Basha, fitues të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë Tiranë, me 93 vota më shumë se rivali i tij socialist, Edi Rama.

Dy ditë më pas PS e kundërshtoi këtë vendim të KQZ-së, përmes një kërkese ankimore të paraqitur në Komisionin Zgjedhor. Por, me shumicë votash, KQZ e hodhi poshtë kërkesën, duke vlerësuar se Komisioni nuk kishte kompetencë për shqyrtimin e ankimimit në fjalë, ndërsa për pikën e dytë të ankimimit, ku kërkohej rivotim në 284 qendra votimi, ajo nuk mund të shqyrtohej për shkelje të afatit 3 ditor.