Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 11:48

Tiranë – Prokuroria e Krimeve të Rënda rrëzoi të enjten versionin për një rrëmbim të 28 – vjeçares, Griselda Roshi, bashkëshortes të Elvis Roshi, kreut të Bashkisë së Kavajës, dy ditë më parë.

Në një komunikatë, shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme thuhet se, “Prokuroria për Krime të Rënda në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, pas regjistrimit të denoncimit më datën 01.06.2011 për rrëmbimin e shtetases Griselda Roshi, realizuan një sërë veprimesh hetimore për verifikimin e rrethanave të ngjarjes, duke vlerësuar dhe vetë sensibilitetin që paraqet ky rast.

Në komunikatën zyrtare thuhet se, në bazë të analizës të veprimeve hetimore të deritanishme, u arrit në konkluzionin se nuk ka elementë që të vërtetojnë rrethanat e pengmarrjes së shtetases Griselda Roshi, çfarë hedh poshtë pistën e variantit të rrëmbimit dhe marrjes peng të fëmijës së sapolindur.

Ndërkohë, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punohet për të sqaruar më tej arsyet dhe motivimin e denoncimit.