Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 14:27

Tiranë – Gjykata Kushtetuese rrëzoi të premten kërkesë-padinë e Bashkisë Tiranë për pezullim të vendimit të Kuvendit, të miratuar më 21 tetor 2010 “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar”. Me anë të kësaj padie bashkia kërkonte “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet pushtetit qendror, i përfaqësuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe qeverisjes vendore, i përfaqësuar nga Bashkia e Tiranës, për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të Kuvendit.

Ndërkohë, më 24 mars një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve, atë të një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) si fitues të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, të shpallur nga Kuvendi.

Kompleksi i ri parlamentar, një projekt ambicioz i qeverisë shqiptare, do të përurohet në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa ndërtimi i tij do të bëhet aty ku sot ndodhet Piramida.